Sektori i Hartografisë pranë Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor, në vijim të plotësimit të hartës topografike të shkallës 1:2 000, është në proces pune për përgatitjen e të dhënave për një sipërfaqe prej 49 km², e cila shtrihet në pjesën lindore të qytetit të Tiranës dhe pjesën veriore të qytetit të Durrësit.
Gjatë muajit prill ky sektor ka përfunduar fazën e verifikimit të të dhënave në terren, me qëllim rritjen e cilësisë dhe plotësimin e datasete-ve me elemente të cilat kanë në përmbajtjen e tyre atributet përkatëse për secilën shtresë gjeoinformacioni.
Informacioni i mbledhur në terren konsiston në veçoritë e të dhënave topografike të mëposhtme si:
- Verifikimin e veprave hidrike si ura, tombino, prita, përcaktimin e tipologjive të kanaleve, përrenjve, ujëmbledhësve, lumenjve etj.;
- Saktësimin dhe klasifikimin e objekteve të ndryshme si objekte banimi, industriale, bujqësore, administrative, fetare, arsimore etj.;
- Mbledhjen dhe saktësimin e emërtimeve gjeografike për qendra të banuara, ndërtesa, etj., bazuar në specifikimet teknike për krijimin e hartës topografike të shkallës 1: 2 000.