Në Asamblenë e Përgjithshme të EuroGeographics për vitin 2024, e cila u zhvillua në Sevilje, Spanjë, me mbështetjen e Institutit Kombëtar Gjeografik të Spanjës, morën pjesë mbi 110 delegatë, nga 40 vende anëtare, ku bën pjesë edhe Shqipëria.
Ekipi i Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) u kryesua nga Drejtori i Përgjithshëm znj. Vilma Tomço, e cila moderoi sesionin “E ardhmja e informacionit gjeohapësinor”. Fjalimi kryesor i këtij sesioni u mbajt nga Prof. Dr. Paul Becker, President i Agjencisë Federale për Hartografi dhe Gjeodezi (BKG) Gjermani.
Diskutimet e kësaj Asambleje kishin në fokus të dhënat gjeohapësinore të vendeve anëtare dhe rolin e tyre në ofrimin e informacionit themelor për të gjetur zgjidhje mbi sfidat e ndryshme globale.
Gjithashtu gjatë kësaj Asambleje u realizuan takime dhe diskutime në nivel teknik dhe menaxherial ku u diskutua mbi rritjen e bashkëpunimit për projekte të ndryshme me përfaqësues nga vendet anëtare të EuroGeographics.
Asambleja vijoi punimet me votimin e buxhetin vjetor të vitit të ardhshëm, zgjedhjen e anëtarëve të Bordit Drejtues dhe Presidentit, si dhe miratimin e aplikimeve për anëtarësimet e reja.