Telefon: +355 4 223 6762

Ekspertë të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor(ASIG) zhvilluan në datat  22–23 shtator 2025, në Korçë një trajnim intensiv me stafet teknike të Shoqërisë Rajonale Ujësjellës–Kanalizime Korçë.

Ky trajnim ishte i përqendruar në rritjen e aftësive praktike për mbledhjen, përpunimin dhe publikimin e informacionit gjeohapësinor. Programi u fokusua në krijimin dhe standardizimin e të dhënave të rrjetit të ujësjellës-kanalizimeve sipas standardit teknik të gjeoinformacionit “Infrastruktura Urbane dhe Shërbimet Qeveritare”, si edhe në përdorimin e Gjeoportalit Kombëtar në lidhje me ngarkimin, përditësimin dhe shpërndarjen e të dhënave gjeohapësinore.

Seancat praktike konsoliduan metodat për modelimin e shtresave tematike, kontrollin e cilësisë, plotësimin e metadatave, unifikimin e skemave, dhe qartësimin e hapave të publikimit në Gjeoportalin Kombëtar, duke garantuar ndërveprueshmëri dhe përputhje me legjislacionin në fuqi.

Trajnimi mbuloi të gjithë ciklin “nga terreni në publikim”, duke pajisur ekipet teknike me mjete konkrete për menaxhimin efikas të të dhënave të infrastrukturës së ujit dhe kanalizimeve. Hapat vijues parashikojnë asistencë teknike për konsolidimin e skemave të të dhënave dhe integrimin e plotë të rrjedhave të punës në Gjeoportalin Kombëtar.