
Ekspertë të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) zhvilluan më 19 shtator 2025, në ambientet e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), një trajnim të dedikuar për përdorimin e platformës së Gjeoportalit Kombëtar.
Fokus i këtij trajnimi ishin funksionalitetet operative të platformës, përfshirë kërkimin tematik, vizualizimin dhe kombinimin e shtresave, përdorimin e shërbimeve të rrjetit, shkarkimin e të dhënave dhe menaxhimin e aksesit sipas roleve të përdoruesve. Gjatë trajnimit u demonstruan skenarë praktikë të përdorimit në mbështetje të proceseve të punës së AZHBR-së dhe u theksuan praktikat për të siguruar gjurmueshmëri, transparencë dhe cilësi të të dhënave.
Aktiviteti kontribuoi në forcimin e kapaciteteve teknike të stafit dhe në zbatimin e praktikave të mira të përdorimit të Gjeoportalit Kombëtar si infrastrukturë qendrore për informim dhe vendimmarrje.