
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) zhvilloi në datat 31 korrik dhe 1 gusht 2025, trajnim me stafin teknik të Shoqërinë Rajonale Ujësjellës–Kanalizime Shkodër, si dhe ofrimin e asistencës teknike për Bashkinë Malësi e Madhe me qëllim rritjen e kapaciteteve teknike të institucioneve vendore në fushën e informacionit gjeohapësinor.
Në bashkëpunim me Shoqërinë Rajonale Ujësjellës–Kanalizime Shkodër, u zhvillua një trajnim i dedikuar për stafet teknike me fokus krijimin dhe përpunimin e të dhënave për rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve, në përputhje me standardin shtetëror për specifikimet teknike të informacionit gjeohapësinor në Shqipëri për temën: “Infrastruktura Urbane dhe Shërbimet Qeveritare”. Gjatë këtij trajnimi u prezantuan gjithashtu funksionalitetet e Gjeoportalit Kombëtar, si platformë zyrtare për publikimin dhe shpërndarjen e të dhënave gjeohapësinore.
Për stafin teknik të Bashkisë Malësi e Madhe, u ofrua asistencë me fokus në përditësimin e rrjetit rrugor lokal dhe identifikimin e pikave të interesit në territorin administrativ. Mbështetja përfshiu orientim për grumbullimin, strukturimin dhe standardizimin e të dhënave territoriale, me synim integrimin e tyre në Gjeoportalin Kombëtar dhe përdorimin në funksion të planifikimit dhe administrimit vendor.
Këto aktivitete kontribuan në përforcimin e kapaciteteve institucionale dhe në përmirësimin e cilësisë dhe aksesueshmërisë së të dhënave gjeohapësinore, në përputhje me kuadrin ligjor dhe standardet kombëtare të qeverisjes së informacionit gjeohapësinor.