
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe nismës për rritjen e kapaciteteve në menaxhimin dhe përdorimin e informacionit gjeohapësinor, zhvilloi sot më 12.03.2026, një trajnim të dedikuar për stafin teknik të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve (AKUK). Qëllimi i trajnimit ishte të forconte kapacitetet e stafit për menaxhimin dhe standardizimin e të dhënave gjeohapësinore në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, në përputhje me kuadrin ligjor dhe standardet e gjeoinformacionit.
Gjatë trajnimit u trajtua përdorimi i funksionaliteteve të Gjeoportalit Kombëtar për aksesimin e të dhënave të publikuara, analiza dhe harmonizimi i të dhënave ekzistuese nga dokumentet e planifikimit dhe shoqëritë rajonale, standardizimi i të dhënave për rrjetin e shpërndarjes së ujit dhe kanalizimeve, si dhe përdorimi praktik i modulit Editor për krijimin dhe përditësimin e të dhënave.




