
Ekspertët e Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) zhvilluan më 7 – 8 prill 2026, në qytetin e Sarandës, një trajnim dyditor me stafet teknike të Shoqërisë Rajonale Ujësjellës–Kanalizime Sarandë. Aktiviteti synoi forcimin e kapaciteteve teknike në menaxhimin e informacionit gjeohapësinor, me fokus të veçantë te mbledhja, strukturimi dhe publikimi i të dhënave që lidhen me rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve. Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit u njohën me kërkesat e standardit teknik të gjeoinformacionit “Infrastruktura Urbane dhe Shërbimet Qeveritare”, si edhe me procedurat që lidhen me përdorimin e Gjeoportalit Kombëtar për administrimin dhe shpërndarjen e të dhënave gjeohapësinore.
Pjesa praktike e trajnimit u përqendrua në organizimin e shtresave tematike, kontrollin e cilësisë së të dhënave, plotësimin e metadatave dhe harmonizimin e skemave sipas kërkesave teknike për publikim. Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe hapave që duhen ndjekur për integrimin e të dhënave në Gjeoportalin Kombëtar, në funksion të rritjes së ndërveprueshmërisë dhe përputhshmërisë me kuadrin ligjor në fuqi.
Në vijim, ASIG do të ofrojë asistencë teknike për konsolidimin e mëtejshëm të skemave të të dhënave dhe për integrimin e plotë të tyre në Gjeoportalin Kombëtar.
