
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Tokës, Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) organizoi më datë 22 prill 2026 aktivitetin “Mapathon në kuadër të Ditës së Tokës 2026”, me pjesëmarrjen e nxënësve të shkollave të mesme të qytetit të Tiranës.
Aktiviteti u zhvillua në ambientet e Universitetit Politeknik të Tiranës dhe synoi të afrojë nxënësit me përdorimin e hartave, të dhënave gjeohapësinore dhe Gjeoportalit Kombëtar, në funksion të mbrojtjes së mjedisit dhe ndërgjegjësimit në kuadër të Ditës së Tokës. Në këtë veprimtari morën pjesë nëntë institucione arsimore.
Gjatë aktivitetit, pjesëmarrësit punuan në ekipe për realizimin e disa hartave tematike, duke zbatuar njohuri praktike mbi elementet e hartës, përdorimin e të dhënave gjeohapësinore dhe interpretimin e informacionit të përpunuar. Në përfundim, punimet e përgatitura u prezantuan përpara jurisë, e cila bëri vlerësimin e tyre mbi bazën e kritereve të përcaktuara për aktivitetin. Në përfundim të vlerësimit, Gjimnazi “Sinan Tafaj” u rendit i pari, me punimin më të mirë të paraqitur në këtë konkurs.
Ky aktivitet shërbeu si një mundësi konkrete për të nxitur interesin e të rinjve ndaj teknologjive gjeohapësinore dhe për të promovuar përdorimin e tyre në kuptimin e territorit, mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm. ASIG falënderon të gjithë nxënësit pjesëmarrës, mësuesit shoqërues, institucionet arsimore pjesëmarrëse, Universitetin Politeknik të Tiranës, si dhe stafin e angazhuar për kontributin në realizimin me sukses të këtij aktiviteti.
