Telefon: +355 4 223 6762

Sot ka nisur zyrtarisht procesi i fotografimit të ri ajror të territorit të Republikës së Shqipërisë, një projekt me rëndësi të veçantë i cili realizohet në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH), me synim përditësimin e informacionit gjeohapësinor dhe forcimin e kapaciteteve për monitorimin, planifikimin dhe administrimin e territorit të Republikës së Shqipërisë.

Faza e parë e projektit ka nisur me fotografimin ajror të 680 km² të zonave urbane, duke sjellë një nivel të ri cilësie dhe saktësie në mbledhjen e të dhënave gjeohapësinore.

Risia e këtij projekti është përdorimi i teknologjive me rezolucion shumë të lartë, 5 cm GSD si dhe skanimi LIDAR me densitet 10 pika/m².

Qëllimi kryesor i projektit është përditësimi dhe zhvillimi i Hartës Bazë për të gjithë  territorin e Republikës së Shqipërisë, e cila mundëson krijimin e një informacioni hartografik të saktë, të detajuar dhe të përditësuar.

Për herë të parë në këtë projekt do të përfshihet edhe fotografimin ajror oblik, i cili mundëson krijimin e produkteve të avancuara gjeohapësinore, përfshi modele dhe imazhe 3D të zonave urbane (3D City). Këto të dhëna krijojnë mundësi të reja për analizën, vizualizimin dhe administrimin e hapësirave urbane, mjedisit, bujqësisë etj.