Telefon: +355 4 223 6762

Në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) dhe Shkollës Shqiptare të Administratës Publike (ASPA), më 11 qershor 2026 u zhvillua trajnimi me temë: “Infrastruktura Kombëtare e Ofrimit të të Dhënave dhe Shërbimeve Gjeohapësinore”.

Ky aktivitet bëri bashkë përfaqësues të institucioneve të administratës publike, me synim rritjen e njohurive dhe aftësive të tyre në administrimin, përdorimin dhe shkëmbimin e informacionit gjeohapësinor.

Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit u njohën me parimet themelore të Direktivës INSPIRE, standardet e gjeoinformacionit, autoritetet publike përgjegjëse, si dhe kuadrin ligjor dhe rregullator në Shqipëri për Infrastrukturën Kombëtare të të Dhënave Gjeohapësinore.

Vëmendje e veçantë iu kushtua Gjeoportalit Kombëtar, katalogut të metadatave, të dhënave gjeohapësinore dhe shërbimeve të rrjetit. Në pjesën praktike, pjesëmarrësit përdorën funksionalitetet e Gjeoportalit Kombëtar për aksesimin, vizualizimin, shkarkimin dhe përdorimin e të dhënave gjeohapësinore.

Nëpërmjet trajtimit të këtyre tematikave u evidentua rëndësia e standardizimit, ndërveprueshmërisë dhe bashkëpunimit ndërinstitucional në mbështetje të planifikimit dhe vendimmarrjes së bazuar në të dhëna gjeohapësinore. Pjesëmarrësit në këtë trajnim do të pajisen me certifikatë nga ASPA.