Telefon: +355 4 223 6762

Me ftesë të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor,në ambientet e ASIG në datë, 23.10.2020,

zhvilloi vizitë një delegacion i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, i kryesuar nga Drejtori Ekzekutiv, Z. Avni Ahmeti. Po ashtu delegacionit të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, i’u bashkua edhe Zëvendës Ministrja e Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, të Republikës së Kosovës Znj. Burbuqe Bakija, me qëllim informimin nga afër me përvojat dhe sfidat e institucioneve përgjegjëse për Infrastrukturën e Informacionit Gjeohapësinor në Shqipëri dhe Kosovë. Në takim drejtuesit e ASIG prezantuan aktivitetet, projektet dhe sfidat e institucionit në ndërtimin e NSDI-së dhe u evidentuan mundësitë e bashkëpunimit mes ASIG dhe AAK, në sfidat e përbashkëta të fushës së gjeoinformacionit. Takimi u finalizua me nënshkrimin e dy marrëveshjeve të bashkëpunimit: -Marrëveshje Bashkëpunimi në fushën e Infrastrukturës së Informacionit Gjeohapësinor duke specifikuar fushat ku do të mund të thellohet bashkëpunimi mes institucioneve, si standardet e gjeoinformacionit, shkëmbimi i përvojave në fushat profesionale, harmonizimi i të dhënave gjeohapësinore dhe shkëmbimi i tyre. -Marrëveshje Bashkëpunimi për shkëmbimin e të dhënave nga rrjetet gjeodezikë ALBCORS dhe KOPOS për shfrytëzimin e pikave të Rrjetit Shtetëror Aktiv të Pozicionimit Global të Republikës së Shqipërisë (ALBCORS), nga Republika e Kosovës dhe shfrytëzimin e pikave të rrjetit permanent të Republikës së Kosovës (KOPOS) nga Republika e Shqipërisë. Nëpërmjet këtij bashkëpunimi do të mundësohet mbulimi me sinjal për aktivitete gjeodezike që kryhen në zonat e brezit kufitar mes dy shteteve.


Twitter