
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) zhvilloi me sukses më 19 Qershor workshop-in me temë “Katalizatori i njohurive të UAS”, në kuadër të projektit SOFTMOVE i dedikuar rolit të Sistemeve Ajrore Pa Pilot (UAS) në nxitje të njohurive, inovacionit dhe zhvillimit ekonomik në zonën e Adriatikut Jugor.
ASIG si partner së bashku me DTA Distretto Tecnologico Aerospaziale (Lead Partner, Rajoni i Puglias, Itali) dhe NVU Digital Den (Mal i Zi) bëri bashkë në këtë aktivitet profesionistë nga sektori publik, privat, akademik, SME-të dhe Startup-et, duke krijuar një hapësirë bashkëpunimi ndër sektoriale për të eksploruar përdorimin e teknologjisë së dronëve në kontekste të ndryshme zhvillimi.
Pjesëmarrësit në këtë workshop u njohën me llojet dhe komponentët kryesorë të UAS, funksionimin teknik të tyre si dhe mënyrën sesi kjo teknologji mund të shërbejë si katalizator për efikasitetin dhe qëndrueshmërinë në fusha si transporti, industria, arsimi dhe kërkimi shkencor.
Në fokus të këtij takimi ishin gjithashtu mbledhja dhe analizimi i të dhënave përmes sistemeve GIS, inteligjencës artificiale dhe shërbimeve të avancuara, si dhe kuadri ligjor që rregullon këto teknologji.
Workshop-i shërbeu si një platformë frymëzuese për rritjen e kapaciteteve, promovimin e aplikacioneve novatore dhe përshpejtimin e tranzicionit digjital, duke theksuar rolin kyç të UAS në përballimin e sfidave të kohës.