Telefon: +355 4 223 6762

Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) morën pjesë në seminarin rajonal të zhvilluar në Prizren, në datat 12–15 maj 2025, në kuadër të projektit “Ndërtimi i Kapaciteteve për Sistemin Kombëtar të Informacionit për Zjarret në Pyje (NFFIS) dhe Zgjidhjeve të Bazuara në Natyrë”, në mbështetje të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC),  i financuar nga Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA).

Seminari kishte për qëllim ndërtimin e kapaciteteve institucionale për sistemin kombëtar të informacionit për zjarret në pyje (NFFIS) dhe promovimin e zgjidhjeve të bazuara në natyrë (Eco-DRR). Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina, të cilët ndanë përvojat e tyre në zhvillimin dhe përdorimin e platformave digjitale për monitorimin dhe menaxhimin e rrezikut nga zjarret dhe erozioni.

Në sesionet e seminarit u prezantuan projektet rajonale të JICA, përfshirë platformat kombëtare si Macedonian Forest Fire Information System (MKFFIS), Montenegrin Forest Fire Information System (MEFFIS), National Forest Fire Information System (NFFIS), si dhe shembuj konkretë të masave të ndërmarra për reduktimin e rreziqeve përmes ndërhyrjeve ekologjike. Pjesë e seminarit ishte edhe një vizitë në terren në komunën e Dragashit, ku pjesëmarrësit u njohën me masat praktike të ndërmarra për reduktimin e rrezikut në zonat e goditura nga ortekët dhe zjarret, përmes ndërhyrjeve ekologjike si pyllëzimi, tarracimi dhe vendosja e strukturave mbrojtëse.

Seminari shërbeu për të theksuar rëndësinë e shkëmbimit të njohurive dhe përvojave, si dhe rolin i zgjidhjeve të qëndrueshme të bazuara në natyrë për një menaxhim më efikas dhe afatgjatë të rreziqeve klimatike dhe natyrore.