
Në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional me Shkollën Shqiptare të Administratës Publike (ASPA), Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) zhvilloi më 26 mars 2026, trajnimin me temë “Hyrje në Remote Sensing”, me pjesëmarrjen e stafeve teknike të institucioneve publike.
Trajnimi u organizua si pjesë e angazhimit të ASIG për forcimin e kapaciteteve profesionale në fushën e gjeoinformacionit, përmes programeve të specializuara të hartuara me kontributin e ekspertëve të institucionit. Në fokus të këtij aktiviteti ishte krijimi i një kuptimi të qartë mbi bazat teorike dhe praktike të teknologjisë Remote Sensing dhe rolin që ajo luan në mbështetjen e proceseve institucionale. Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit u njohën me elementët kryesorë të kësaj teknologjie, duke përfshirë spektrin elektromagnetik, tipologjitë e sensorëve, ndikimin e atmosferës në përftimin e të dhënave, si edhe mënyrën e përzgjedhjes së produkteve më të përshtatshme sipas nevojave konkrete të institucioneve.
Nëpërmjet këtij trajnimi, ASIG synon të nxisë përdorimin më të gjerë të teknologjive Remote Sensing në fusha si planifikimi urban, menaxhimi i mjedisit dhe monitorimi i territorit, duke kontribuar në vendimmarrje më të informuar dhe të mbështetur në të dhëna të besueshme. Në përfundim të trajnimit, pjesëmarrësit do të pajisen me certifikatë nga ASPA.






