Trajnim në kuadër të bashkëpunimit ASIG-ASPA “Aplikimet e Imazherisë Satelitore për Përpunimin e të Dhënave Gjeohapësinore”
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit me Shkollën Shqiptare të Administratës Publike (ASPA), zhvilloi më datë 12.03.2026 trajnimin me temë “Aplikimet e Imazherisë Satelitore për Përpunimin e të Dhënave Gjeohapësinore”, me pjesëmarrjen e stafeve teknike nga institucione të administratës publike.
Ky trajnim është pjesë e kurrikulave të specializuara të hartuara nga ekspertët e ASIG për rritjen e kapaciteteve të administratës publike në përdorimin dhe menaxhimin e të dhënave gjeohapësinore.
Gjatë sesioneve të këtij trajnimi, u trajtuan konceptet kryesore të imazherisë satelitore dhe aftësimi i stafeve teknike të institucioneve pjesëmarrëse, në përdorimin praktik dhe analizimin e këtyre imazheve përmes metodave të avancuara dhe integrimit të tyre me sistemet GIS.
Ekspertët e ASIG zhvilluan trajnimin në mbështetje të administratës publike në drejtim të zhvillimit të aftësive të avancuara për analizë, interpretim dhe përdorim të të dhënave gjeohapësinore në funksion të vendimmarrjes së bazuar në evidencë.
Të gjithë pjesëmarrësit në trajnim do të pajisen me certifikatë nga ASPA.
Trajnim me stafet teknike të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe nismës për rritjen e kapaciteteve në menaxhimin dhe përdorimin e informacionit gjeohapësinor, zhvilloi sot më 12.03.2026, një trajnim të dedikuar për stafin teknik të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve (AKUK). Qëllimi i trajnimit ishte të forconte kapacitetet e stafit për menaxhimin dhe standardizimin e të dhënave gjeohapësinore në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, në përputhje me kuadrin ligjor dhe standardet e gjeoinformacionit.
Gjatë trajnimit u trajtua përdorimi i funksionaliteteve të Gjeoportalit Kombëtar për aksesimin e të dhënave të publikuara, analiza dhe harmonizimi i të dhënave ekzistuese nga dokumentet e planifikimit dhe shoqëritë rajonale, standardizimi i të dhënave për rrjetin e shpërndarjes së ujit dhe kanalizimeve, si dhe përdorimi praktik i modulit Editor për krijimin dhe përditësimin e të dhënave.
Trajnim në kuadër të bashkëpunimit ASIG-ASPA “Infrastruktura Kombëtare e Ofrimit të të Dhënave dhe Shërbimeve Gjeohapësinore”
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor(ASIG) në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit me Shkollën Shqiptare të Administratës Publike (ASPA), zhvilloi më datë 05.03.2026 trajnimin me temë “Infrastruktura Kombëtare e Ofrimit të të Dhënave dhe Shërbimeve Gjeohapësinore”, me pjesëmarrjen e stafeve teknike nga institucione të administratës publike dhe njësive të vetëqeverisjes vendore.
Ky trajnim është pjesë e kurrikulave të specializuara të hartuara nga ekspertët e ASIG për rritjen e kapaciteteve të administratës publike në përdorimin dhe menaxhimin e të dhënave gjeohapësinore. Gjatë sesionit u trajtuan konceptet kryesore mbi funksionimin e Infrastrukturës Kombëtare të të Dhënave Gjeohapësinore (NSDI), rolin e saj në standardizimin dhe shkëmbimin e të dhënave ndërmjet institucioneve, si dhe rëndësia e metadatave dhe e shërbimeve të rrjetit për publikimin dhe shpërndarjen e të dhënave gjeohapësinore.
Në pjesën praktike të trajnimit u prezantuan funksionalitetet kryesore të Gjeoportalit Kombëtar, duke përfshirë kërkimin, vizualizimin dhe përdorimin e të dhënave gjeohapësinore. Të gjithë pjesëmarrësit në trajnim do të pajisen me certifikatë nga ASPA.










