Ditën e mërkurë më datë 5 korrik 2023, në ambientet e “Maritim Hotel Plaza” në Tiranë, u organizua nga Ministria e Mbrojtjes eventi “Albanian Space System”, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Z. Edi Rama.
Skuadra e satelitëve e kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm Znj. Vilma Tomço, në bashkëpunim me Autoritetet Publike Përgjegjëse, përfituese të projektit me satelitët, sollën për të pranishmit produktet e krijuara nga mbledhja dhe përpunimi i imazheve të dy satelitëve “Albania 1” dhe Albania 2”, me një mbulim mbi 13 mijë kilometra katrorë.
Ekspertë nga ASIG, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Agjencia Kombëtare e Mjedisit prezantuan këto produkte për të evidentuar përfitimet në kosto logjistike dhe analitike, burime njerëzore, si dhe shkurtimin e kohës së vendimmarrjes për implementimin e protokolleve të emergjencave civile dhe jo vetëm.
Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij vuri theksin në rëndësinë që ka ky projekt për vendin tonë, vëmendjen dhe përkushtimin që Qeveria Shqiptare po tregon për mbarëvajtjen e tij, si dhe koordinimin e të gjitha Autoriteteve Publike Përgjegjëse për bashkërendimin e punës me ASIG.