Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), znj. Vilma Tomço mirëpriti në një vizitë në ambientet e ASIG, Dr. Shimrit Maman, Shkencëtare dhe Drejtuese e Shërbimit të Imazheve Tokësore dhe Planetare, si dhe Drejtuese e UN-SPIDER Israel Regional Support Office e shoqëruar nga Sh. S. znj. Galit Peleg, Ambasadore e Izraelit në Shqipëri dhe Këshilltari për Ekonominë në Ambasadën e Izraelit z. Klajdi Heta.
Znj. Tomço e njohu znj. Maman me misionin dhe arritjet e ASIG në krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Gjeohapësinor (NSDI), në Republikën e Shqipërisë. Të pranishmit patën mundësi gjithashtu të njihen me veprimtarinë e gjerë të dr. Maman si udhëheqëse e programeve të larmishme në arsim, programeve zhvillimore për shkencën si dhe përfshirjen e saj në ekipin kërkimor i cili ka udhëhequr nanosatelitin e parë Izraelit, lëshuar në hapësirë më 15 shkurt, 2017.
Gjatë këtij takimi u shkëmbyen ide mbi mundësi bashkëpunimi midis ASIG dhe institucioneve homologe në Izrael.