
Një grup ekspertësh nga TAIEX zhvilluan në bashkëpunim me Autoritetin Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) në datat 30 Shtator – 2 Tetor 2025, në ambientet e Hotel Monarc në Tiranë, një workshop tre ditor me synimin mbështetjen e Shqipërisë zbatimin e kuadrit ligjor për infrastrukturën kombëtare të të dhënave gjeohapësinore (NSDI) dhe implementimin e Direktivës INSPIRE të Bashkimit Evropian.
Çështjet kryesore të trajtuara gjatë workshop-it ishin:
- Gjendja aktuale e zbatimit të Direktivës INSPIRE në nivel BE dhe praktikat më të mira nga Autoriteti i Hartografisë së Republikës së Sllovenisë dhe Autoriteti Holandez i Kadastrës.
- Prezantimi nga ekspertët e ASIG i ecurisë së deritanishme të zhvillimit të NSDI në Shqipëri, bashkëpunimi me Autoritetet Publike Përgjegjëse për mbledhjen, përpunimin dhe publikimin e të dhënave gjeohapësinore për temat e gjeoinformacionit.
- Procedurat dhe mjetet për kontrollin e cilësisë së të dhënave gjeohapësinore në vendin tonë.
- Zbatimi i Direktivës së BE për të Dhënat e Hapura dhe publikimi i të dhënave me vlerë të madhe, si dhe përshtatja e tyre me standardet dhe specifikimet e INSPIRE.
- Përvoja e shteteve anëtare të BE për ofrimin e të dhënave përmes API-ve të standardizuara (WMS/WMTS, OGC API Features).
- Tendencat ndërkombëtare dhe evropiane për zhvillimin e NSDI, përfshirë vizionin e UN-GGIM dhe strategjitë e interoperabilitetit të BE.
- Diskutime të hapura mbi modelin ligjor dhe financiar më të përshtatshëm për Shqipërinë në ndërtimin e një NSDI funksionale dhe të qëndrueshme.
- Ndërtimi i kapaciteteve, rritja e ndërgjegjësimit dhe përdorimi i metodave të trajnimit në distancë në fushën e gjeoinformacionit.
Ekspertët e TAIEX vlerësuan punën e bërë nga ASIG mbi mbledhjen, përpunimin dhe publikimin e të dhënave gjeohapësinore në Gjeoportalin Kombëtar si dhe hartimin dhe miratimin e standardeve të gjeoinformacionit konform Direktivës INSPIRE.
Në përfundim të këtij workshop-i dhanë rekomandime konkrete për përmirësimin e cilësisë, harmonizimit dhe publikimit të të dhënave dhe praktika nga vende të BE që mund të përshtaten me Shqipërinë.