Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) i përfaqësuar nga drejtori i Drejtorisë së Përpunimit të të Dhënave Remote Sensing z. Dritan Prifti, ishte pjesë e delegacionit shqiptar të kryesuar nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC), në një vizitë studimore në Tokio, Japoni e cila u realizua në kuadër të projektit “Ndërtimi i Kapaciteteve për Sistemin Kombëtar të Informacionit për Zjarret në Pyje (NFFIS), dhe Zgjidhjet e Bazuara në Natyrë për Zvogëlimin e Risqeve nga Fatkeqësitë (NbS-DRR)” mbështetur nga JICA. Gjithashtu pjesë e këtij delegacioni ishin dhe përfaqësues nga Agjencia Kombëtare e Pyjeve (AKP), Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO), dhe Ujësjellës Kanalizime Tiranë (UKT).
Qëllim i kësaj vizite ishte shkëmbimi i përvojave dhe praktikave më të mira në menaxhimin e pyjeve dhe zbatimin e metodave për zvogëlimin e risqeve natyrore. Gjatë kësaj vizite përfaqësuesit shqiptar morën pjesë në trajnime intensive me ekspertët japonezë, të cilët prezantuan strategjitë më të përparuara për parandalimin dhe menaxhimin e zjarreve në pyje, në një vend si Japonia ku 70% e sipërfaqes përbëhet nga pyje. Këto trajnime përfshinin teknika për përdorimin e zgjidhjeve të bazuara në natyrë, për zvogëlimin e risqeve nga fatkeqësitë, si dhe për aplikimin e teknologjive të reja për mbrojtjen e burimeve natyrore.
Grupi shqiptar vizitoi institucione si Agjencia e Pyjeve dhe Agjencia e Menaxhimit të Zjarreve dhe Fatkeqësive, ku u prezantuan projekte për mbrojtjen e pyjeve dhe metodat për kontrollin e erozionit, si dhe u demonstruan aktivitetet më të fundit për menaxhimin dhe parandalimin e fatkeqësive natyrore.