Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor pritën ditën e premte më 18.10.2024, në ambientet e ASIG, grup profesorësh dhe studentësh nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara Saxion i Holandës.
Qëllimi i kësaj vizite studimore ishte përzgjedhja e ASIG si rast praktik lidhur me projektet e ndryshme që ky grup po zhvillon në lidhje me ndërtimin e shtëpive brenda kontekstit të zhvillimit të qëndrueshëm të zonave urbane, ku me interes të veçantë për ta ishin të dhënat dhe shërbimet që ASIG ofron në Gjeoportalin Kombëtar.
Drejtori i GIS-it Kombëtar dhe Gjeoportalit pasi bëri një prezantim të arritjeve të ASIG në fushën e gjeoinformacionit, hapat e hedhur në ndërtimin e NSDI, dhe projektet e ardhshme të institucionit tonë, i njohu gjithashtu vizitorët më në detaje me të dhënat dhe shërbimet e publikuara në Gjeoportalin Kombëtar të ASIG.