Telefon: +355 4 223 6762

Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) morën pjesë në Asamblenë Shkencore të Shoqatës Ndërkombëtare të Gjeodezisë (International Association of Geodesy, IAG 2025), e cila u zhvillua në Rimini, Itali, në datat 1 deri më 5 Shtator.

Ky aktivitet ndërkombëtar me temë “Gjeodezia për një mjedis në ndryshim ofroi një platformë unike për shkëmbimin e ideve dhe praktikave më të avancuara në fushën e gjeodezisë, duke përfshirë sfidat e ndryshimeve mjedisore dhe ngjarjet ekstreme të natyrës.

Tematikat e asamblesë u trajtuan në katër komisione të IAG-së:

  • Korniza Referuese,
  • Fusha e Gravitetit,
  • Orientimi dhe Gjeodinamika,
  • Pozicionimi dhe Aplikimet.

Gjë që siguroi që diskutimet dhe prezantimet të fokusoheshin në të gjitha aspektet kyçe të shkencës së gjeodezisë nga referencat dhe fusha gravitacionale, deri tek gjeodinamika dhe aplikimet e avancuara të pozicionimit.

ASIG i përfaqësuar nga z. Oltjon Balliu, Përgjegjës i Sektorit të Kornizës Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH) dhe z.Dylber Peposhi Specialist në Sektorin e Infrastrukturës së Sistemeve CORS (ALBCORS), prezantoi modelin e Gjeoidit Gravimetrik dhe Hibrid të Shqipërisë — ALBGEOID 2024, si një instrument thelbësor për ndërtimin e një reference gjeodezike vertikale moderne. Ky model, i cili u ndoq me interes dhe u vlerësua nga ekspertë të lartë evropianë dhe ndërkombëtarë, përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të infrastrukturës gjeohapësinore të vendit dhe krijimit të bazave të qëndrueshme për aplikime shkencore dhe inxhinierike.

Ky aktivitet tregoi dhe njëherë suksesin e arritur deri më tani nga stafi i ASIG, fazat që ka kryer ASIG për ndërtimin e infrastrukturës gjeodezike , metodologjinë dhe krijimin me sukses të një strukture të të dhënave gjeodezike kombëtare bazuar në të dhëna  të rëndësishme për KRGJSH.

Pjesëmarrja e ASIG në IAG 2025 forcon rolin e Shqipërisë në arenën shkencore ndërkombëtare dhe e pozicionon vendin si një aktor aktiv në përballimin e sfidave mjedisore globale. Ky angazhim mbështet objektivat strategjike për integrim evropian dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të infrastrukturës gjeohapësinore kombëtare, në përputhje me Direktivën INSPIRE dhe prioritetet e zhvillimit të qëndrueshëm.

Gjithashtu pjesëmarrja në një event të këtyre përmasave ishte e rëndësishme për rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe profesionale, përmes diskutimeve mbi rrjetet gjeodezike, referencat horizontale dhe vertikale, modelet gjeoidale dhe metodat e avancuara të matjes, shkëmbimin e përvojave dhe bashkëpunimin me autoritete dhe ekspertë ndërkombëtarë, duke forcuar lidhjet institucionale dhe hapur perspektiva për projekte të përbashkëta.