Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), i ngarkuar nga ligji nr. 72/2012,
“Për organizimin dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”, si autoritet përgjegjës për krijimin dhe mirëmbajtjen e Kornizës Referuese Gjeodezike Shqiptare ka hartuar projektin e Rrjetit Mareografik në Republikën e Shqipërisë.
Në funksion të plotësimit të kësaj detyre ASIG ka filluar implementimin e këtij projekti me vënien në funksionim të Mareografit në Kepin e Palit (Durrës), pas 25 vitesh mungesë të informacionit mbi monitorimin e nivelit mesatar të detit. Ky projekt po zbatohet në kuadër të ndihmës norvegjeze, nëpërmjet projektit ALNO-HIP, që ka si synim ndërtimin e dy stacioneve mareografike në Durrës dhe Sarandë. Parashikohet që brenda muajit prill të këtij viti të vihet në funksionim edhe stacioni i Sarandës. ASIG gjithashtu parashikon, që me fondet e vëna në dispozicion nga qeveria shqiptare, të ndërtojë dhe instalojë edhe dy stacione të tjera mareografike (Shëngjin dhe Orikum), e gjithë kjo në kuadrin e realizimit të projektit kombëtar të rrjeteve gjeodezike. Këto stacione do të përmbushin një boshllëk shumëvjeçar mbi të dhënat e nivelit të detit në bregdetin shqiptar, të domosdoshme si të dhëna bazë për krijimin e Referencës Gjeodezike Shqiptare. Gjithashtu të dhënat që do të gjenerohen, analizohen dhe publikohen i shërbejnë plotësimit të kërkesave të shumë agjencive: institucione shtetërore, pushtetit vendor dhe ndërkombëtare që merren me studimin e dinamikës së Bregdetit Shqiptar. Të dhënat nga mareografët e instaluar në vijën bregdetare do të transmetohen nëpërmjet një linje komunikimi online nga stacionet tek qendra e kontrollit pranë ASIG. Më pas këto të dhëna do t’iu nënshtrohen përpunimeve dhe analizave përkatëse për llogaritjen e nivelit mesatar të detit, LAT etj. të cilat do të publikohen nëpërmjet një shërbimi të dedikuar në faqen zyrtare të ASIG.