
Në vazhdën e aktiviteteve që po zhvillohen në kuadër të projektit SOFTMOVE ku ASIG është partner, u zhvilluan më 3 dhe 4 Qershor takime B2B në qytetin e Barit, Itali.
Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor nga Sektori i Projekteve bënë bashkë në këto takime një grup ekspertësh, menaxherësh projektesh, sipërmarrës të ndryshëm nga Shqipëria që kanë të bëjnë me Unmanned Aeria Systems (UAS) ku në fokus ishin dy tema kryesore:
• Ofrimi i shërbimeve Lifestyle – Zhvillimi i një kulture të re të transportit të biznesit;
• Integrimi i transportit publik dhe politikave urbane në menaxhimin e Qyteteve Inteligjente.
Në prezantimin e tij gjatë këtij takimi z. Kleart Shuli nga ASIG i njohu të pranishmit me punën e bërë nga ky institucion në mbledhjen, përpunimin, përditësimin dhe aksesueshmërinë e të dhënave gjeohapësinore, rëndësinë që ato kanë për vendimmarrje të drejta në sektorë të ndryshëm si planifikimi urban, turizmi, mbrojtja e mjedisit, siguria kombëtare, rimëkëmbja nga fatkeqësitë etj..
Pjesë e rëndësishme e këtyre diskutimeve ishte roli transformues i Sistemeve Ajrore pa Pilot (UAS) dhe përdorimi i tyre në qytetet inteligjente, duke nxitur inovacionin dhe zgjidhjet praktike për sfidat urbane.
Ekipet përfaqësuese nga Shqipëria, Italia dhe Mali i Zi gjatë këtyre dy ditëve patën mundësi të shkëmbejnë idetë dhe praktikat më të mira mbi çështje si mobiliteti inteligjent, digjitalizimi i shërbimeve dhe nevojat e qytetarëve lidhur me transportin urban.
ASIG së bashku me partnerët e tij mbetet i angazhuar për të forcuar bashkëpunimin ndërkufitar dhe për të shfrytëzuar potencialin e plotë të teknologjisë gjeohapësinore dhe UAS për zhvillimin e qyteteve inteligjente.