Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) mori pjesë më 17 janar 2025, në konferencën ndërkombëtare me titull “Thirrje vendit tënd! Hapësira, kujtesë gjuhësore, historike dhe antropologjike”, e organizuar nga Instituti i Antropologjisë, pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Kjo konferencë u drejtua nga dr. Ledi Shamku Shkreli dhe në fillim të saj mbajtën fjalën e tyre përshëndetëse akademiku z. Skënder Gjinushi, Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH), prof. asoc. dr. Olsi Lelaj, Drejtor i Institutit të Antropologjisë (ASHSH), akademiku Valter Memishaj, drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë (IGJL-s), dr. Mirela Muço, drejtore e Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI), dr. Vilma Tomço, drejtore e ASIG.
Znj. Tomço në fjalën e saj përshëndetëse theksoi rëndësinë që kanë të dhënat gjeohapësinore në ditët e sotme dhe sa të dobishme janë këto të dhëna për botën akademike.
Gjithashtu Denisa Kukaj, Përgjegjëse e Sektorit të Standardeve të Gjeoinformacionit bëri një prezantim të detajuar mbi punën e bërë nga ASIG në bashkëpunim me Instituti i Gjeografisë dhe Infrastrukturës Ushtarake (IGJIU) dhe IGJL në lidhje Emërtimet Gjeografike si dhe identifikimin e përsëritjeve të toponimeve duke reflektuar dhe duke ju dhënë mundësi studiuesve që ishin të pranishëm për të vazhduar kërkimet e mëtejshme në këtë fushë.