
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Rrjetit Evropian të Hapësirës e cila u mbajt më 10-11 Prill 2025, në Venecia, Itali, si pjesë e rrjetit Copernicus Relay, i ftuar nga Komisioni Evropian dhe Zyra për Mbështetjen Europiane të Hapësirës.
ASIG u përfaqësua në këtë aktivitet nga Drejtori i Drejtorisë së Përpunimit të të Dhënave Remote Sensing z. Dritan Prifti.
Në fjalën hapëse të kësaj Asambleje përshëndetën Presidenti i Rajonit Veneto, Rektori i Universiteti IUAV dhe përfaqësues të Komisionit Evropian.
Në këtë Asamble anëtarët e Rrjeteve Hapësinore të BE-së të pranishëm në sallë patën mundësinë që të prezantojnë aktivitetin e institucioneve të tyre me arritjet dhe sfidat e secilit. Gjatë këtij sesioni pjesëmarrësit u informuan mbi aktivitetet dhe arritjet e kaluara, evolucionin e rrjeteve të bashkëpunimit dhe statusin e tyre aktual, duke përfshirë një prezantim mbi rezultatet e marrëveshjes Kuadër të Partneritetit në përvetësimin e përdoruesve të programit të Copernikut (FPCUP).
Anëtarët e Rrjeteve Hapësinore të BE-së dhanë komente dhe diskutuan pritshmëritë e tyre për zhvillimin e Rrjeteve Hapësinore të BE-së si dhe ju propozuan ide, përfaqësuesve të Komisionit Evropian.
Dita e dytë e asamblesë u zhvillua në Universitetin IUAV Venecia (Istituto Universitario di Architettura di Venezia) ku u diskutuan tematikat e mëposhtme:
- Shfrytëzimi i të dhënave hapësinore të BE-së për qëndrueshmërinë bregdetare dhe oqeanike;
- Sigurimi i aseteve hapësinore të Evropës – SSA & STM;
- Situata Hapësinore dhe Menaxhimi i Trafikut Hapësinor të BE-së si komponent kryesor i Programit Hapësinor të BE-së;
- Kapacitet në sektorin hapësinor të BE-së;
- Ruajtja e trashëgimisë kulturore me ndihmën të dhënat hapësinore të BE-së.