
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor dhe Universiteti Politeknik i Tiranës organizuan sot dy aktivitete të rëndësishme në kuadër të GIS Day, një ditë e dedikuar promovimit të vlerës së teknologjisë GIS dhe përdorimit të informacionit gjeohapësinor në zhvillimin e shoqërisë në mbarë botën.
Në kuadër të këtyre aktiviteteve Drejtori i Përgjithshëm i ASIG znj. Vilma Tomço dhe Rektori i UPT z. Akli Fundo nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet këtyre dy institucioneve me qëllim zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore kombëtare dhe ndërkombëtare, organizimin e konferencave, workshop-eve si dhe mbështetjen e praktikave profesionale për studentët e UPT-së nga ASIG.
Fokusi i marrëveshjes është forcimi i kapaciteteve të burimeve njerëzore përmes përgatitjes së specialistëve të rinj si dhe nxitja e përdorimit të teknologjive bashkëkohore në fushën e gjeoinformacionit.
Aktivitetet vijuan me organizimin e tryezës së rrumbullakët “Sfidat e Gjeoinformacionit në Shqipëri në kuadër të GIS Day”, e cila u zhvillua në dy sesione, sesioni me temë: “Standardet, shërbimet dhe teknologjitë” dhe sesioni “Aftësitë dhe kompetencat, akademia dhe koordinimi”.
Diskutimet në këtë tryezë rikonfirmuan potencialin e rëndësishëm që ka vendi ynë për të avancuar më tej në përdorimin e sistemeve GIS dhe të dhënave gjeohapësinore, me ASIG si shtyllë koordinuese institucionale dhe botën akademike si qendër e formimit dhe kërkimit shkencor.
Aktivitetet në kuadër të GIS Day 2025 përbëjnë një hap konkret drejt konsolidimit të një ekosistemi modern gjeoinformacioni, në shërbim të zhvillimit të qëndrueshëm dhe vendimmarrjes bazuar në të dhëna, duke shërbyer njëkohësisht si pikënisje për nisma që në të ardhmen do të çojnë në ngritjen e platformave dhe forumeve të strukturuara të bashkëpunimit.










