Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) në bashkëpunim me Departamentin e Gjeografisë pranë Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë(FHF) të Universitetit të Tiranës, organizuan sot Forumin GIS Day.
Dita e Ndërkombëtare e GIS organizohet në mbarë botën dhe synon të nxjerrë në pah rolin e rëndësishëm të Sistemeve të Informacionit Gjeohapësinor (GIS) në marrjen e vendimeve të shpejta dhe të drejta, në zgjidhjen e problemeve komplekse që lidhen me mjedisin, planifikimin urban, zhvillimin ekonomik etj..
Ky forum i moderuar nga nj. Sonila Xhafa Drejtuese e Departamentit të Gjeografisë, u përshëndet nga Zëvendës Rektorja e Universitetit të Tiranës prof. dr. znj. Anila Paparisto, Drejtori i Përgjithshëm i ASIG dr. Znj. Vilma Tomço, Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë prof. dr. z. Mark Marku dhe Nënkryetari i Senatit Akademik prof. dr. Sokol Axhemi.
Forumi “Dita Ndërkombëtare e GIS”, bëri bashkë profesionistë dhe ekspertë të këtij sektori nga institucionet publike e private, bota akademike dhe biznesi të cilët ndanë eksperiencën e tyre në projekte dhe aplikime të ndryshme të GIS, me qëllim nxitjen e bashkëpunimit dhe inovacionin në teknologjitë gjeohapësinore.
Fokusi i fjalës së tyre ishte forcimi i bashkëpunimit mes institucioneve dhe botës akademike me qëllim rritjen e kapaciteteve njerëzore përmes përgatitjes së specialistëve të rinj në përputhje me prioritetet e zhvillimit të vendit, kryerjen e ekspertizave kërkimore dhe integrimin e mësimdhënies me kërkimin shkencor, për përdorimin e mundësive që krijon teknologjia në fushën e gjeoinformacionit.
Ky forum vlerësoi rëndësinë e nënshkrimit të një marrëveshjeje bashkëpunimi mes Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) dhe Universitetit të Tiranës e cila pritet të nënshkruhet në ditët e ardhshme.