Telefon: +355 4 223 6762

Në kuadër të projektit GEO-CRADLE, i financuar nga Programi HORIZON 2020 i Bashkimit Evropian, Instituti për Ruajtjen e Natyrës (INCA) në Shqipëri, në bashkëpunim me Autoritetin Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), organizuan më 19.12.2018, takimin me aktorët kombëtarë institucionalë, për angazhimin e tyre në nismat rajonale për vëzhgimin dhe monitorimin e Tokës.

Qëllimi i këtij takimi ishte prezantimi i arritjeve të kësaj nisme rajonale që koordinohet nga Observatori Kombëtar i Athinës (NOA), duke synuar mundësinë e përdorimit të rrjetit kombëtar të aktorëve kryesorë që kanë në praktikën e tyre përdorimin e të dhënave gjeohapësinore , si dhe aplikimin e modeleve statistikore për vrojtimin dhe monitorimin e Tokës.

Pjesë e kësaj nisme është edhe nominimi i ASIG si pikë fokale e programit GEO për Shqipërinë, për të krijuar mundësinë e informimit, aksesit dhe bashkëpunimit përmes këtij programi me bashkëpunëtorë në rajonin e Ballkanit, Evropës dhe më gjerë.

Drejtori i ASIG z. Lorenc Çala, në fjalën e tij përshëndetëse theksoi hapat e ndërmarrë për ndërtimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Gjeohapësinore dhe nevojën e bashkëpunimit me nisma kombëtare, rajonale dhe evropiane në fushën e gjeoinformacionit.

Drejrori i drejtorisë së GIS-it Kombëtar dhe Gjeoportalit pranë ASIG, z. Klaudio Çollaku në këtë takim mbajti një prezantim ku evidentoi përgjegjësitë dhe arritjet e këtij autoriteti, si dhe arsyen pse ASIG mund të shërbejë si pikë fokale e programit GEO për Shqipërinë.