Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit mes ASIG dhe AZHBR
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) dhe Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi me qëllim forcimin e koordinimit institucional për përdorimin dhe shkëmbimin efektiv të informacionit gjeohapësinor, në funksion të krijimit dhe zhvillimit të Sistemit të Identifikimit të Parcelave të Tokës (LPIS).
Ky sistem i integruar do të shërbejë për identifikimin dhe menaxhimin e zonave bujqësore përmes ortofotove, imazheve satelitore dhe të dhënave të tjera gjeohapësinore, në përputhje me kërkesat e politikës së përbashkët bujqësore të Bashkimit Evropian.
Zbatimi i kësaj marrëveshjeje përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor dhe përmbushjes së standardeve evropiane në sektorin bujqësor, duke kontribuar në digjitalizimin dhe modernizimin e administrimit të skemave në bujqësi.
Trajnim me stafin teknik të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor(ASIG) në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe nismës për rritjen e kapaciteteve në menaxhimin dhe përdorimin e informacionit gjeohapësinor, zhvilloi sot një trajnim të dedikuar për stafin teknik të sektorit të Administrimit të Regjistrit Kombëtar të Adresave, të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile.
Gjatë këtij trajnimi, ASIG ofroi asistencë teknike për standardizimin dhe saktësimin e të dhënave GIS për temën “Sistemi i adresave”, si dhe trajtoi aspektet e përdorimit praktik të Gjeoportalit Kombëtar për aksesimin, menaxhimin dhe vizualizimin e të dhënave gjeohapësinore.
Vizitë e përfaqësuesve të EuroGeographics në ASIG
Përfaqësues të lartë drejtues të EuroGeographics znj. Sallie Payne Snell, Sekretare e Përgjithshme dhe Drejtoreshë Ekzekutive e EuroGeographics, dhe znj. Patricia Sokacova, menaxhere e Anëtarësimit dhe Komunikimit zhvilluan sot një vizitë në ambientet e ASIG.
Drejtori i Përgjithshëm znj. Vilma Tomço pasi prezantoi progresin e ASIG i njohu gjithashtu ato me zhvillimin dhe konsolidimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor, shërbimet digjitale dhe iniciativat strategjike të ASIG në fushën e gjeoinformacionit.
Takimi shërbeu gjithashtu si një mundësi shkëmbimi pikëpamjesh mes ASIG dhe EuroGeographics mbi perspektivat e bashkëpunimit në të ardhmen, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe harmonizimin me standardet evropiane në menaxhimin dhe shpërndarjen e të dhënave gjeohapësinore.
Kjo vizitë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt thellimit të marrëdhënieve ndërinstitucionale dhe integrimit të mëtejshëm të ASIG në rrjetet evropiane të gjeoinformacionit.









