
Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë (ASHSH) organizuan më 17.04.2025, në ambientet e Akademisë workshopin me temë: “Korniza Referuese Gjeodezike dhe Modelimi i Gjeoidit në Republikën e Shqipërisë”.
ASIG si institucion përgjegjës për projektimin, ndërtimin, mirëmbajtjen dhe përditësimin e Kornizës Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH) që nga viti 2014 është angazhuar në hartimin e projekteve teknike të detajuara të nevojshme dhe implementimin e tyre për ndërtimin e rrjeteve në përbërje të KRGJSH-së, për t’i mundësuar Shqipërisë krijimin e bazës unike gjeodezike që mbështetet totalisht në teknologjinë GNSS dhe në llogaritjen e gjeoidit me rezolucion dhe saktësi të lartë për përcaktimin me efikasitet të pozicionit të saktë horizontal dhe vertikal të pikave të ndryshme në sipërfaqen e tokës.
Gjatë këtij eventi u prezantua Korniza Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH) nga specialistët e ASIG, bashkëpuntorët nga Instituti i Gjeoshkencave (IGEO) dhe Universiteti “Aristotel” i Selanikut (AUTH).
Temat e prezantuara ishin:
-
- Implementimi i Kornizës Referuese Gjeodezike Moderne në Republikën e Shqipërisë,
- Implementimi i Rrjetit Gjeodezik Aktiv (ALBCORS) në Republikën e Shqipërisë,
- Karakteristikat e zhvendosjes tektonike aktuale të Shqipërisë bazuar në të dhënat GNSS,
- Modeli gravimetrik dhe hibrid i Gjeoidit në Republikën e Shqipërisë.
Në përfundim të këtij eventi pjesëmarrësit nga bota akademike falënderuan dhe vlerësuan punën e kryer nga ASIG për implementimin e projekteve të rrjeteve të KRGJSH-së dhe llogaritjen e gjeoidit për herë të parë në Republikën e Shqipërisë.