Telefon: +355 4 223 6762

U nënshkrua sot në ambientet e Rektoratit të Tiranës marrëveshja e bashkëpunimit mes Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), i përfaqësuar nga Drejtori i Përgjithshëm znj. Vlima Tomço dhe Universitetit të Tiranës (UT) përfaqësuar nga Rektori z. Artan Hoxha.

Kjo marrëveshje konsiston në disa pika kyçe si:

  • Identifikimin, nxitjen, mbështetjen dhe bashkëpunimin në projekte me interes të përbashkët, në fushën e gjeoinformacionit, teknologjisë, promovimit dhe marketingut të produkteve.
  • Bashkëpunimin për aplikimin dhe zbatimin e projekteve të përbashkëta shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, organizmin e përbashkët të konferencave, simpoziumeve, kongreseve, seminareve etj..
  • Nxitjen, mbështetjen, dhe realizimin e veprimtarive të përbashkëta në fushën e arsimit, trajnimit, kërkimit shkencor dhe mundësimin e praktikave profesionale dhe mësimore.

Në fjalën e saj, Drejtoresha e Përgjithshme znj. Tomço theksoi se ky partneritet është rezultat i një pune njëvjeçare së bashku me Departamentin e Gjeografisë, që solli edhe momentin e përshtatshëm për të forcuar dhe zhvilluar këtë bashkëpunim. Ajo vlerësoi këtë marrëveshje si një mundësi për të gjithë studentët e UT, e jo vetëm për ata të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë por duke përfshirë këtu edhe Fakultetin Ekonomik, atë të Shkencave të Natyrës, etj..

Zonja Tomço vuri theksin te kërkimet shkencore dhe leksionet e hapura për studentët, duke theksuar se kjo është një mundësi e mirë edhe për organizmin që ajo drejton, për të zgjeruar më tej horizontet e bashkëpunimit, pas atyre të mëparshme me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, Universitetin e Prishtinës,  dhe AIC, ASPA e të tjera institucione.

Nga ana e tij, Rektori Hoxha vlerësoi këtë marrëveshje si një mundësi të mirë për të përfituar nga ekspertiza dhe mundësitë, duke bërë kështu të mundur që veprimtaritë e UT, të shkojnë në dobi të zhvillimeve të shoqërisë. Ai gjithashtu theksoi se këto janë mundësi të mira edhe për vet universitetin, që të ofrojë ekspertiza për palë të tjera, në funksion të ngritjes së financave, sikurse është parashikuar edhe në Ligjin për Arsimin e Lartë.