Bordi i Informacionit Gjeohapësinor (BIG), është organ këshillimor, i ASIG-ut dhe i Këshillit të Ministrave, për të realizuar krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit gjeohapësinor, në Republikën e Shqipërisë.
Krijimi i Bordit të Informacionit Gjeohapësinor është përcaktuar në nenin 10 të Ligjit nr. 72/2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Gjeohapësinor të Republikës së Shqipërisë”. Përbërja, organizimi dhe funksionimi i Bordit të Informacionit Gjeohapësinor (BIG) janë përcaktuar në Urdhrin nr. 40, datë 20.02.2020, të Kryeministrit, “Për përbërjen, organizimin dhe funksionimin e Bordit të Informacionit Gjeohapësinor”, i ndryshuar me urdhrin nr. 44, datë 28.03.2023.
Bordi kryesohet nga drejtori i kabinetit të Zëvendëskryeministrit dhe ka në përbërje të tij të ketë këta anëtarë:
- Drejtorin e Përgjithshëm të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor;
- Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit;
- Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit;
- Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës;
- Drejtorin e Institutit të Gjeografisë dhe Infrastrukturës Ushtarake;
- Drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar;
- Një përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë;
- Një përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural;
- Një përfaqësues të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit;
- Një përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Në mbledhjet e Bordit të Informacionit Gjeohapësinor ftohen të marrin pjesë;
- Shefi i Departamentit të Gjeodezisë, pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit;
- Përfaqësues të Shoqatave të Bashkive;
- Përfaqësues të Shoqatës së Inxhinierëve Gjeodetë, të licencuar;
- Përfaqësues të autoriteteve publike përgjegjëse për temat e informacionit gjeohapësinor në varësi të tematikës që shqyrtohet;
- Ekspertë të fushave të ndryshme në varësi të tematikës që shqyrtohet.
Fusha e veprimtarisë së Bordit për Informacionin Gjeohapësinor (BIG) është këshillimi dhe formulimi i mendimeve e propozimeve lidhur me:
- zhvillimin e politikës kombëtare për infrastrukturën e informacionit gjeohapësinor;
- përmirësimin dhe plotësimin e legjislacionit në fuqi për infrastrukturën e informacionit gjeohapësinor;
- zhvillimin dhe përmirësimin e teknologjisë në fushën e informacionit gjeohapësinor;
- përcaktimin e temave të tjera sipas parashikimeve të këtij ligji;
- vendimet e ASIG-ut për mbledhjen, përpunimin dhe/ose përditësimin e të dhënave gjeohapësinore nga autoritetet publike sipas temave përkatëse;
- përcaktimin e standardeve shtetërore dhe rregullave uniforme për krijimin e sistemeve të informacionit gjeografik, për secilën temë;
- rregullat e hartuara nga ASIG-u për krijimin, përditësimin, shkëmbimin, aksesin dhe përdorimin e grupeve të të dhënave gjeohapësinore, shërbimeve gjeohapësinore dhe metadatave;
- rregullat e hartuara nga ASIG-u për realizimin e ndërveprueshmërisë;
- përcaktimin e kushteve dhe standardeve që lidhen me krijimin e GIS kombëtar;
- përcaktimin e rregullave për aksesin dhe shkëmbimin e informacionit gjeohapësinor nga subjektet publike dhe private;
- nismat e institucioneve publike në fushën e informacionit gjeohapësinor;
- përcaktimin e rregullave teknike dhe të administrimit të Gjeoportalit Kombëtar;
- çdo çështje tjetër që lidhet me infrastrukturën e informacionit gjeohapësinor.
Bordi I Informacionit Gjeohapësinor e ushtron veprimtarinë e tij në përputhje me rregulloren e brendshme, “Për organizimin dhe funksionimin e Bordit të Informacionit Gjeohapësinor”, e miratuar me Urdhrin nr. 40, datë 20.02.2020, të Kryeministrit, i ndryshuar.