Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), është institucion publik qendror dhe e ushtron aktivitetin e tij bazuar në ligjin nr. 72/2012, datë 28.06.2012, “Për organizimin dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”.
Misioni i ASIG
Krijimi dhe përdorimi i Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Gjeohapësinor, në Shqipëri, bazuar në standardet evropiane të Direktivës 2007/2/EC “INSPIRE” të Parlamentit dhe Këshillit Evropian.
Përgjegjësitë e ASIG
1.Zbaton politikën kombëtare për infrastrukturën kombëtare të informacionit gjeohapësinor;
2. Është përgjegjës për projektimin, ndërtimin, mirëmbajtjen dhe përditësimin e Kornizës Referuese Gjeodezike;
3. Merr vendime për mbledhjen, përpunimin dhe përditësimin e informacionit gjeohapësinor nga autoritetet publike, sipas temave përkatëse;
4. Përcakton standardet shtetërore dhe rregullat uniforme për krijimin e GIS-it, për secilën temë, dhe për krijimin e GIS-it Kombëtar, në përputhje me standardet evropiane përkatëse dhe harton rregullat që lidhen me krijimin, përditësimin, shkëmbimin, aksesin dhe përdorimin e informacionit gjeohapësinor dhe shërbimeve që lidhen me të;
5.Siguron ndërveprueshmërinë e grupeve dhe shërbimeve të informacionit gjeohapësinor, si dhe harton rregulla të hollësishme për realizimin e ndërveprueshmërisë;
6. Administron informacionin gjeohapësinor të mbledhur, të përpunuar dhe të përditësuar nga autoritetet publike, sipas temave përkatëse;
7. Siguron bashkërendimin e punës gjatë aktiviteteve dhe marrjes së nismave që lidhen me informacionin gjeohapësinor në sektorin publik dhe privat;
8. Krijon dhe administron Gjeoportalin Kombëtar dhe garanton aksesin e publikut dhe subjekteve të interesuara, në përputhje me dispozitat e këtij ligji;
9. Mbikëqyr zbatimin e kuadrit rregullator të vendosur nga ky ligj, aktet nënligjore të dala në zbatim të këtij ligji dhe, në përputhje me politikat e zhvillimit të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave, u paraqet autoriteteve përkatëse propozime për ndërhyrje legjislative që lidhen me to;
10. Kujdeset për edukimin dhe rritjen e kapaciteteve të aktorëve të përfshirë në proceset që lidhen me infrastrukturën kombëtare të informacionit gjeohapësinor, si dhe për përhapjen e informacionit që lidhet me të te grupet e interesit dhe te publiku;
11. Përfaqëson shtetin në organizatat evropiane dhe ndërkombëtare, anëtarësimi në të cilat i shërben funksionimit dhe modernizimit të infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor;
12.Përfaqëson shtetin për çdo çështje tjetër që lidhet me infrastrukturën e informacionit gjeohapësinor.
Objektivat e ASIG
1.Ndërtimi i Kornizës Referuese Gjeodezike Shqiptare sipas standardeve evropiane për të mundësuar kryerjen e punimeve gjeodezike dhe hartografike të sakta, me mjete dhe metoda bashkëkohore.
2. Zhvillimi, funksionimi dhe përditësimi i GIS-it dhe Gjeoportalit Kombëtar që ofron informacion, të dhëna dhe shërbime gjeohapësinore, në përputhje të plotë me standardet e Direktivës 2007/2/EC “INSPIRE”.
3. Koordinimi dhe bashkëpunimi me autoritetet publike përgjegjëse, për mbledhjen, përpunimin dhe përditësimin e informacionit gjeohapësinor, për hartimin dhe implementimin e standardeve në fushën e gjeoinformacionit dhe krijimin e NSDI-së.