POLITIKA E PRIVATËSISË / MBROJTJA E TË DHËNAVE PERSONALE

NJOFTIM MBI RUAJTJEN E PRIVATËSISË

SI I PËRDORIM NE INFORMACIONET TUAJA

PERSONAT QË PARAQESIN NJË ANKESË PRANË ASIG-UT

PERSONAT TË CILËT PËRDORIN SHËRBIMET E ASIG-UT

VIZITORËT NË FAQEN TONË TË INTERNETIT

SUBJEKTET TË CILËT “NJOFTOJNË” SIPAS LIGJIT “PËR MBROJTJEN E TË DHËNAVE PERSONALE”

APLIKANTËT PËR PUNË, TË PUNËSUARIT AKTUALË DHE ISH PUNONJËSIT E ASIG-UT

AKSESI NË TË DHËNAT PERSONALE

PËRHAPJA E TË DHËNAVE PERSONALE

LIDHJET ME FAQET E TJERA NDRYSHIMET NË KËTË NJOFTIM MBI MBROJTJEN E TË DHËNAVE PERSONALE ANKESA APO PYETJE

SI TË NA KONTAKTONI

POLITIKA E SIGURISË SË INFORMACIONIT

SI I PËRDORIM NE INFORMACIONET TUAJA

Ky njoftim mbi ruajtjen e privatësisë tuaj ju tregon se çfarë duhet të prisni kur Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (në vijim ASIG), do të mbledhë të dhënat tuaja personale. Kjo vlen për informacionin e mbledhur në lidhje me:

• Ankuesit të cilët paraqesin ankesa lidhur me pretendimet e tyre, për shkelje të të dhënave personale, gjatë përpunimit nga ana e kontrolluesve të këtyre të dhënave.

• Individët e tjerë, të cilët paraqesin kërkesa të ndryshme, për marrje informacioni, dhënie konsulence, etj.

• Vizitorët në faqen tonë zyrtare.

• Kontrolluesit që njoftojnë në bazë të ligjit “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”.

• Kandidatët për punësim, punonjësit aktualë si dhe ish-punonjësit.

PERSONAT QË PARAQESIN NJË ANKESË PRANË ASIG-UT

Kur paraqitet një ankesë nga një person, ajo protokollohet në një regjistër të veçantë nga një punonjës përkatës i cili më parë ka nënshkruar deklaratën e konfidencialitetit dhe është i njohur me përmbajtjen e kodit etik të institucionit, të miratuar nga Drejtori i Përgjithshëm i ASIG-ut, si dhe me rregulloren për të drejtën e informimit, akt ky i miratuar gjithashtu nga Drejtori i Përgjithshëm i ASIG-ut.

Ne përdorim të dhënat personale që mbledhim, vetëm për procesin e shqyrtimit të ankesës dhe për të kontrolluar nivelin e shërbimeve që ne ofrojmë. Ne përpilojmë dhe publikojmë statistika duke treguar informacione të tilla si numri i ankesave që marrim, por jo në një formë që të identifikojë ndonjërin prej tyre.

Ne mbajmë të dhëna personale të përfshira në dosjet e ankesave në përputhje me ligjin dhe politikën tonë të ruajtjes së të dhënave personale. Ato mbahen në një mjedis të sigurt dhe aksesi në të është i kufizuar në bazë të parimit “nevoja për të ditur dhe njohur”.

PERSONAT TË CILËT PËRDORIN SHËRBIMET E ASIG-UT

Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor ofron të dhëna dhe shërbime gjeohapësinore për publikun.

Ne përdorim detaje të të dhënave të ofruara dhe i mbajmë ato me qëllim që të ofrojmë shërbimin ndaj subjektit edhe për rastet e kërkuara nga ky i fundit për qëllime të tjera të lidhura ngushtë me të. P.sh kur ne i përgjigjemi një personi i cili më parë ka kërkuar informacion mbi kryerjen e një teme diplome, ne mund të përdorim të dhënat e tij për të testuar nëse personi apo personat janë të kënaqur me nivelin e shërbimit që ata morën. Kur personat regjistrohen për të marrë shërbime nga ASIG, ata mund të revokojnë regjistrimin e tyre në çdo kohë dhe për të arritur këtë, i ofrohet një mënyrë mjaft e lehtë.

VIZITORËT NË FAQEN TONË TË INTERNETIT

Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor, disponon faqen zyrtare të institucionit www.asig.gov.al dhe https://geoportal.asig.gov.al/.

Me anë të faqes zyrtare, ASIG transmeton dhe mbledh informacione. Qëllimi i transmetimit dhe mbledhjes së informacionit nëpërmjet internetit është që të jetë sa më pranë kontrolluesit dhe subjektit të të dhënave. Nëpërmjet faqes zyrtare, ASIG u vjen në ndihmë përdoruesve duke publikuar informacione të ndryshme që kanë të bëjnë me legjislacionin, misionin dhe objektivat e tij, vendet vakante, menaxhimin e fondeve, aktiviteteve të ndryshme që organizohen me partnerët publikë dhe privatë, projektet me donatorë të huaj, etj.

Nëpërmjet Gjeoportalit Kombëtar, https://geoportal.asig.gov.al/, ASIG ofron informacion gjeohapësinor për të gjitha temat e nenit 11 të Ligjit 72/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”. Informacioni i publikuar merret nëpërmjet depozitimit ose ndërlidhjes nga Autoritetet Publike përgjegjëse, për mbledhjen, përpunimin dhe përditësimin e tij. Shërbimet e ofruara janë sipas standardeve të Direktivës 2007/2/EC INSPIRE, të BE-së. Për vizitorët e kësaj faqeje sistemi mbledh informacione standarde të cilat kanë të bëjnë me klikimet e të dhënave, shërbimeve të kërkuara apo rubrikave në këtë faqe. Ky informacion mblidhet për qëllime statistikore dhe studimi (për të treguar qasjen e vizitorëve, për të parë se cilat janë rubrikat më të ndjeshme dhe për rrjedhojë interesin e subjekteve të të dhënave personale, gjithnjë pa i bërë ata të identifikueshëm).

Ne e mbledhim këtë informacion në atë mënyrë që të mos identifikojmë asnjë vizitor. Ne nuk bëjmë asnjë përpjekje për të gjetur identitetin e vizitorëve që kanë vizituar faqen tonë të internetit.

ASIG nuk përdor (dhe nuk lejon ndonjë palë të tretë) mjete statistikore analitike për të ndjekur ose për të mbledhur informacione personale që i bëjnë të identifikueshëm vizitorët e faqes tonë zyrtare. Ne nuk lidhim asnjë të dhënë të grumbulluar nga kjo faqe me ndonjë të dhënë personale që e bën vizitorin të identifikueshëm nga çdo burim që të vijë, si pjesë e përdorimit tonë. Motorri i kërkimit në faqen tonë të internetit është projektuar të jetë i fuqishëm dhe i lehtë për t’u përdorur, qoftë për të kërkuar informacion (metadata) për të dhënat apo shërbimet, qoftë për të parë të dhënën apo për të marrë shërbimin, pa qenë nevoja për regjistrim fillestar të përdoruesit ashtu sikurse kërkimi në Google. Shërbimi i kërkimit dhe i shikimit të informacionit që ne ofrojmë janë të hapura për këdo dhe pa pagesë. Të gjitha kërkimet në këtë faqe trajtohen nga aplikacioni dhe informacioni nuk i kalohet ndonjë pale të tretë. Nëse do të duam të mbledhim informacione, personalisht të identifikueshme, nëpërmjet faqes sonë të internetit, ne do t`jua bëjmë të qartë rastin kur të mbledhim informacion personal dhe do të shpjegojmë se çfarë kemi ndërmend të bëjmë me të.

SUBJEKTET TË CILËT “NJOFTOJNË” SIPAS LIGJIT “PËR MBROJTJEN E TË DHËNAVE PERSONALE”

Ligji “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale” kërkon që kontrolluesit, qofshin ata publikë apo privatë, të njoftojnë pranë KDIMDP-së disa informacione specifike sipas një standardi të miratuar nga Autoriteti i Komisionerit. Këto informacione mund të përmbajnë të dhëna personale të personave që janë të ngarkuar nga kontrolluesit për plotësimin e këtij detyrimi, me qëllim autentifikimin e vërtetësisë së deklarimit dhe mbajtjes së kontakteve, me qëllim ezaurimin e kompetencave ligjore që ka Autoriteti i Komisionerit. Kur kompanitë apo institucionet plotësojnë formularët e tyre të njoftimit, atyre u kërkohet të japin të dhënat e kontaktit të një anëtari të rëndësishëm të personelit. Autoriteti i ASIG-ut do t`a përdorë këtë për qëllimet e veta, për shembull kur ne kemi një pyetje në lidhje me një njoftim, por nuk i bën publike këto të dhëna. Këto të dhëna, të përpunuara në mënyrë automatike (për shkak të sistemit kompjuterik të njoftim-regjistrimit) dhe në mënyrë manuale (për shkak të kërkesave ligjore të proçedurave administrative), janë të kufizuara në aksesin që kanë një numër i mirëpërcaktuar specialistësh, si dhe ruajtja e konfidencialitetit, mbi këto të dhëna, është e garantuar me ligj. Informacioni i marrë nga proçedurat e njoftimit më pas bëhet publik, si një kërkesë ligjore, në faqet e Regjistrit të Subjekteve Kontrollues, por në përmbajtje të këtyre faqeve nuk ka të dhëna personale. Të vetmet të dhëna personale, që mund të shfaqen në faqet e këtij regjistri, janë emrat e subjekteve që me ligj janë të regjistruara si persona fizikë dhe që ligjërisht duhet të bëhen publikë, nëse përpunojnë të dhëna personale. Megjithatë, në këto raste, meqenëse regjistri është në dispozicion të publikut, ASIG-u nuk mund të japë asnjë garanci, për të dhënat e përmbajtura në të, nëse përdoren nga ata që kanë akses. Gjithashtu, kur ne të kërkojmë informacion, si pjesë e procesit të njoftimit, e kemi bërë të qartë faktin, se kur dhënia e informacionit është e kërkuar nga ligji dhe kur është vullnetare.

APLIKANTËT PËR PUNË, TË PUNËSUARIT AKTUALË DHE ISH PUNONJËSIT E ASIG-UT

Kur persona të identifikuar aplikojnë për t’u punësuar pranë ASIG, ne përdorim informacionin, për procesin e aplikimit të tyre dhe për të monitoruar statistikat e rekrutimit. Kur ne duam ti shkëmbejmë të dhënat me një pale të tretë, për shembull, kur ne duam të marrin një referencë, ose të marrim disa të dhëna nga institucione të tjera përkatëse ( p.sh Autoriteti i Gjendjes Gjyqësore ), ne nuk e bëjmë këtë, pa i informuar subjektet më parë, vetëm nëse ky informacion është i kërkuar me ligj.

Të dhënat personale në lidhje me aplikantët e pasuksesshëm mbahen për 12 muaj pasi konkursi i rekrutimit ka përfunduar, e më pas shkatërrohen ose fshihen. Ne mbajmë informacion, të pa personalizuar, për qëllime statistikore në lidhje me aplikantët, për të ndihmuar aktivitetet tona të rekrutimit, por asnjë aplikant nuk është i identifikueshëm individualisht nga këto të dhëna. Kur një punonjës nuk është më në raporte pune me ASIG-un, për të ne përgatisim një dosje në lidhje me periudhën gjatë së cilës ai ka qenë i punësuar. Të dhënat e përfshira në të mbahen të sigurta dhe përdoren vetëm për qëllime me rëndësi të drejtpërdrejtë mbi punësimin e personit. Kur punësimi i tyre pranë ASIG-ut përfundon, ne mbajmë dosjen në përputhje me ligjin për statusin e nëpunësit civil, ligjin për arkivat dhe rregullat tona të brendshme.

AKSESI NË TË DHËNAT PERSONALE

ASIG-u përpiqet të jetë sa më i hapur për t`i dhënë individëve akses në të dhënat e tyre personale. Individët mund të zbulojnë nëse ne mbajmë ndonjë të dhënë personale, duke na dërguar një “kërkesë për akses tek të dhënat personale”, në bazë të ligjit “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”. Nëse ne mbajmë të dhënat tuaja personale, ne do t’ju:

• Japim një përshkrim të tyre;

• Bëjmë me dije se përse ne i mbajmë ato;

• Tregojmë se te cili marrës mund ti përhapim këto të dhëna;

• Japim një kopje të informacionit, në një formë të kuptueshme;

• Informojmë nëse dhënia e të dhënave personale është e detyrueshme apo vullnetare.

Për të bërë një kërkesë pranë ASIG-ut, për çdo të dhënë personale që ne mund të mbajmë, është e nevojshme të bëni një kërkesë më shkrim drejtuar institucionit tonë të cilën mund ta dërgoni nëpërmjet postës ose në rrugë elektronike në adresën info@asig.gov.al.

Nëse jeni dakord, ne do të përpiqemi të merremi me kërkesën tuaj në mënyrë jo formale, për shembull duke iu dhënë informacionin specifik nëpërmjet telefonit.

Nëse ne mbajmë informacion në lidhje me ju, ju mund të na kërkoni të korrigjojmë gabimet në të, duke kontaktuar edhe një herë, Personin e Kontaktit në ASIG.

PËRHAPJA E TË DHËNAVE PERSONALE

Si rregull, ne nuk përhapim të dhëna personale pa pëlqimin tuaj. Megjithatë kur ne hetojmë një ankesë, për shembull, na duhet të ndajmë informacionin personal me aktorët e tjerë të përfshirë në shqyrtimin e saj.

Ju mund të merrni më shumë informacion mbi:

• Marrëveshjet që kemi me institucione të tjera për shkëmbimin e informacionit;

• Rrethanat kur ne mund të përhapim të dhënat personale pa marrë pëlqimin, për shembull, për të parandaluar dhe zbuluar një krim dhe për të prodhuar statistika anonime;

• Udhëzimet tona për stafin se si duhen mbledhur, përdorur dhe fshirë të dhënat personale;

• Mënyrën si ne kontrollojmë se të dhënat që ne mbajmë janë të sakta dhe të përditësuara.

LIDHJET ME FAQET E TJERA

Ky njoftim mbi ruajtjen e privatësisë, për të arritur mbrojtjen e të dhënave personale, nuk përfshin lidhjet midis kësaj faqeje dhe faqeve të tjera. Ne ju inkurajojmë të lexoni deklaratat e privatësisë në faqet e tjera të internetit që ju vizitoni.

NDRYSHIMET NË KËTË NJOFTIM MBI MBROJTJEN E TË DHËNAVE PERSONALE

Ne përditësojmë këtë njoftim kur është e nevojshme, duke vlerësuar politikën e privatësisë, si të rëndësishme, në veprimtarinë e punës së ASIG-ut.

ANKESA APO PYETJE

ASIG-u përpiqet për të përmbushur standardet më të larta gjatë mbledhjes dhe përdorimit të të dhënave personale. Për këtë arsye, ne marrim shumë seriozisht ankesat në lidhje me këtë temë. Ne mirëpresim gjithashtu çdo sugjerim për përmirësimin e procedurave tona. Ky njoftim, mbi mbrojtjen e të dhënave personale ,u hartua me qëllim për të qenë i qartë dhe i shkurtër. Në të nuk jepen detaje të plota të të gjitha aspekteve të mbledhjes dhe përdorimit të të dhënave personale, nga ana e ASIG-ut. Megjithatë, ne jemi të gatshëm t’ju japim çdo informacion shtesë apo shpjegim të nevojshëm. Çdo kërkesë për këtë duhet të dërgohet në adresën e – mail: info@asig.gov.al.

SI TË NA KONTAKTONI

Kërkesat për informacion në lidhje me politikën tonë të privatësisë mund të dërgohen me e-mail, në adresën info@asig.gov.al.

POLITIKA E SIGURISË SË INFORMACIONIT

ASIG-u përpunon informacionin me qëllim kryerjen e detyrave të tij funksionale. Kjo mund të përfshijë informacionin kofidencial për kontrolluesit dhe individët. Informacioni është një aset i çmuar. Vazhdimësia e punës së kontrolluesve është e varur në integritetin e tyre dhe disponueshmërinë e vazhdueshme. Prandaj, duhet të ndërmerren hapa për të mbrojtur informacionin nga përdorimi i paautorizuar, ndryshimi, zbulimi apo shkatërrimi, qoftë aksidental ose i qëllimshëm.

ASIG-u është i angazhuar, për të siguruar përdorimin e informacionit dhe informacionin e sistemeve të teknologjisë, me qëllim ruajtjen e integritetit dhe konfidencialitetit të informacionit nën kontrollin e tij. ASIG-u përdor një qasje të bazuar në risk, gjatë vlerësimit dhe të kuptuarit të rreziqeve si dhe përdor të gjitha mjetet fizike të personelit, teknike dhe procedurale, për të arritur masat e duhura të sigurisë.

ASIG-u merr parasysh zhvillimet në teknologji dhe kostot e zbatimit për të arritur një nivel sigurie, të përshtatshëm për natyrën e informacionit dhe të dëmit që mund të rezultojë nga një shkelje e sigurisë. Stafi i ASIG-ut i nënshtrohet detyrimit për të ruajtur konfidencialitetin e informacionit, i cili i jepet këtij të fundit për të ushtruar funksionet e tij në bazë ligjit, dhe mund t’ua shpërndajë atë vetëm autoriteteve të ligjshme. ASIG-u i ofron udhëzime dhe trajnime stafit të tij (nëpërmjet ASPA-s) për t’u mundësuar atyre të kuptojnë dhe të zbatojnë përgjegjësitë e tyre, në respektimin e sigurisë. ASIG-u vlerëson integritetin e personelit, i cili trajton të dhëna personale, dhe monitoron pajtueshmërinë e tyre mbi detyrimet në lidhje me sigurinë.

Twitter