INSPIRE
INSPIRE (Infrastruktura për informacionin gjeohapësinor në iniciativën Evropiane) është një iniciativë e nisur, zhvilluar dhe miratuar nga Bashkimi Evropian, më 14 Mars 2007, në bashkëpunim me shtetet anëtare.
Direktiva INSPIRE ka për qëllim të ofrojë një shërbim të integruar të informacionit hapësinor për përdoruesit. Ky shërbim duhet ti mundësojë përdoruesit identifikimin dhe përdorimin e informacioneve gjeohapësinore apo gjeografike nga burime të ndryshme, nga niveli lokal deri në nivel global, në mënyrë ndër-vepruese, dhe të mundësojë përdorimin nga një numër i pakufizuar përdoruesish.
Me anë të kësaj direktive, kërkohet të bëhen të arritshme të dhënat relevante gjeografike, duke krijuar një bazë për zbatimin gradual të strukturës gjeohapësinore të harmonizuar të të dhënave, me synim formulimin, zbatimin, monitorimin dhe vlerësimin gjatë procesit të vendimmarrjes në nivel të BE-së.
Direktiva INSPIRE synon të krijojë një Infrastrukturë të të Dhënave Gjeohapësinore të Bashkimit Evropian (SDI) për qëllime të politikave mjedisore të BE-së apo aktiviteteve të cilat mund të kenë ndikim në mjedis. Kjo infrastrukturë do të mundësojë ndarjen e informacionit gjeohapësinor mjedisor midis organizatave të sektorit publik, do të lehtësojë aksesin e publikut në informacionin gjeohapësinor në të gjithë Evropën dhe do të ndihmojë në hartimin e politikave përtej kufijve.
Nevoja për direktivën “INSPIRE” u shfaq kryesisht, për shkak të situatës së papërcaktuar të rregullave lidhur me të dhënat gjeohapësinore në Evropë.
Gjendja e të dhënave gjeohapësinore në Evropë karakterizohej nga sa vijon:
- Shpërndarja dhe mungesa e disponueshmërisë së të dhënave të përshtatshme;
- Mungesa e harmonizimit mes të dhënave të shkallëve të ndryshme gjeografike;
- Shpenzimet e tepërta;
- Përdorimi i pamjaftueshëm i standardeve (të dhëna të papajtueshme, sistemet e informacionit, shpërndarja e të dhënave dhe mbivendosja);
- Mungesa e koordinimit ndërmjet niveleve administrative që janë përgjegjëse për krijimin e të dhënave gjeohapësinore;
- Mungesa e të dhënave të përshtatshme;
- Kufizimet në lidhje me shpërndarjen e të dhënave (të drejtat e autorit, qasja e të dhënave, taksat etj.).
Faktorët e përmendur më lart pengojnë identifikimin, aksesin dhe përdorimin e të dhënave ekzistuese.
INSPIRE është një model interesant për zhvillimin jo vetëm të infrastrukturës teknologjike, por edhe të praktikave të përbashkëta dhe metodave të punës, nëpërmjet bashkëpunimit dhe partneritetit.
Infrastruktura e të dhënave gjeohapësinore nëpërmjet direktivës INSPIRE është orientuar dhe ndjek parimet:
- Të dhënat duhet të mblidhen një herë (nga një burim i vetëm) dhe të mbahen në nivelin ku mund të bëhet ruajtja e tyre në mënyrën më efektive;
- Kombinimi i të dhënave gjeohapësinore nga burime të ndryshme evropiane duhet të jetë aktiv dhe të shpërndara ndërmjet përdoruesve dhe aplikacioneve;
- Informacioni duhet të mblidhet në nivel të qeverisë dhe të ndahet mes gjithë niveleve të tjera;
- Të dhënat gjeohapësinore të nevojshme për administrim efikas, nuk duhet të vihen në dispozicion, vetëm në qoftë se përdorimi i tyre është i kufizuar në masë;
- Është e nevojshme të mundësohet një qasje e lehtë në të dhënat gjeohapësinore në dispozicion, vlerësimi nëse ato janë të përshtatshme për përdorim dhe arritjen e qëllimeve, së bashku me lehtësimin e kushteve për përdorimin e mëtejshëm të tyre;
- Të dhënat gjeohapësinore duhet të jenë të thjeshta për tu kuptuar dhe interpretuar pasi ato do të kombinohen në një mënyrë të përshtatshme, duke lejuar vizualizimin në kontekste të caktuara, të përshtatura për përdoruesit.
Grupi i të dhënave gjeohapësinore në kontekstin e Direktivës duhet të jetë në një formë digjitale, të jetë pronë e autoriteteve publike dhe në lidhje me një ose disa prej temave të cilat janë të paraqitura në anekset më poshtë.
Të dhënat gjeohapësinore, të përcaktuara sipas Direktivës INSPIRE:
- Aneksi I
- Përcaktimi i kornizës referuese gjeodezike dhe kontrolli gjeodezik,
- Sistemet e rrjeteve gjeografike,
- Emërtimet gjeografike,
- Kufijtë e njësive administrative,
- Sistemi i adresave,
- Parcelat kadastrale,
- Rrjetet e transportit,
- Hidrografia,
- Zonat e mbrojtura.
- Aneksi II
- Modeli digjital i terrenit,
- Mbulesa e tokës,
- Ortoimazheria,
- Gjeologjia
- Aneksi III
- Infrastruktura bujqësore dhe akuakultura,
- Kushtet atmosferike,
- Ndërtesat,
- Infrastruktura për monitorimin e mjedisit,
- Shëndeti i njerëzve dhe siguria e tij,
- Meteorologjia,
- Zonat me rreziqe natyrore,
- Demografia,
- Detet.
- Shpërndarja e specieve,
- Infrastruktura urbane dhe shërbimet qeveritare,
- Zonat e mbrojtura,
- Zonat ekologjike,
- Burimet energjetike,
- Habitatet,
- Përdorimi i tokës,
- Burimet minerale.
- Veçoritë gjeografike oqeanografike,
- Infrastruktura industriale,
- Pedologjia,
- Njësitë statistikore,
Direktivën INSPIRE, rregullat, specifikimet e të dhënave dhe dokumentet e tjera, mund ti gjeni në link: https://knowledge-base.inspire.ec.europa.eu/index_en