Workshop i TAIEX në bashkëpunim me ASIG mbi zbatimin e Direktivës INSPIRE në Shqipëri

Një grup ekspertësh nga TAIEX zhvilluan në bashkëpunim me Autoritetin Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) në datat 30 Shtator – 2 Tetor 2025, në ambientet e Hotel Monarc në Tiranë, një workshop tre ditor me synimin mbështetjen e Shqipërisë zbatimin e kuadrit ligjor për infrastrukturën kombëtare të të dhënave gjeohapësinore (NSDI) dhe implementimin e Direktivës INSPIRE të Bashkimit Evropian.

Çështjet kryesore të trajtuara gjatë workshop-it ishin:

  • Gjendja aktuale e zbatimit të Direktivës INSPIRE në nivel BE dhe praktikat më të mira nga Autoriteti i Hartografisë së Republikës së Sllovenisë dhe Autoriteti Holandez i Kadastrës.
  • Prezantimi nga ekspertët e ASIG  i ecurisë së deritanishme të zhvillimit të NSDI në Shqipëri, bashkëpunimi me Autoritetet Publike Përgjegjëse për mbledhjen, përpunimin dhe publikimin e të dhënave gjeohapësinore për temat e gjeoinformacionit.
  • Procedurat dhe mjetet për kontrollin e cilësisë së të dhënave gjeohapësinore në vendin tonë.
  • Zbatimi i Direktivës së BE për të Dhënat e Hapura dhe publikimi i të dhënave me vlerë të madhe, si dhe përshtatja e tyre me standardet dhe specifikimet e INSPIRE.
  • Përvoja e shteteve anëtare të BE për ofrimin e të dhënave përmes API-ve të standardizuara (WMS/WMTS, OGC API Features).
  • Tendencat ndërkombëtare dhe evropiane për zhvillimin e NSDI, përfshirë vizionin e UN-GGIM dhe strategjitë e interoperabilitetit të BE.
  • Diskutime të hapura mbi modelin ligjor dhe financiar më të përshtatshëm për Shqipërinë në ndërtimin e një NSDI funksionale dhe të qëndrueshme.
  • Ndërtimi i kapaciteteve, rritja e ndërgjegjësimit dhe përdorimi i metodave të trajnimit në distancë në fushën e gjeoinformacionit.

Ekspertët e TAIEX vlerësuan punën e bërë nga ASIG mbi mbledhjen, përpunimin dhe publikimin e të dhënave gjeohapësinore në Gjeoportalin Kombëtar si dhe hartimin dhe miratimin e standardeve të gjeoinformacionit konform Direktivës INSPIRE.

Në përfundim të këtij workshop-i dhanë rekomandime konkrete për përmirësimin e cilësisë, harmonizimit dhe publikimit të të dhënave dhe praktika nga vende të BE që mund të përshtaten me Shqipërinë.

Trajnim për stafet teknike të Shoqërisë Rajonale Ujësjellës–Kanalizime Korçë

Ekspertë të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor(ASIG) zhvilluan në datat  22–23 shtator 2025, në Korçë një trajnim intensiv me stafet teknike të Shoqërisë Rajonale Ujësjellës–Kanalizime Korçë.

Ky trajnim ishte i përqendruar në rritjen e aftësive praktike për mbledhjen, përpunimin dhe publikimin e informacionit gjeohapësinor. Programi u fokusua në krijimin dhe standardizimin e të dhënave të rrjetit të ujësjellës-kanalizimeve sipas standardit teknik të gjeoinformacionit “Infrastruktura Urbane dhe Shërbimet Qeveritare”, si edhe në përdorimin e Gjeoportalit Kombëtar në lidhje me ngarkimin, përditësimin dhe shpërndarjen e të dhënave gjeohapësinore.

Seancat praktike konsoliduan metodat për modelimin e shtresave tematike, kontrollin e cilësisë, plotësimin e metadatave, unifikimin e skemave, dhe qartësimin e hapave të publikimit në Gjeoportalin Kombëtar, duke garantuar ndërveprueshmëri dhe përputhje me legjislacionin në fuqi.

Trajnimi mbuloi të gjithë ciklin “nga terreni në publikim”, duke pajisur ekipet teknike me mjete konkrete për menaxhimin efikas të të dhënave të infrastrukturës së ujit dhe kanalizimeve. Hapat vijues parashikojnë asistencë teknike për konsolidimin e skemave të të dhënave dhe integrimin e plotë të rrjedhave të punës në Gjeoportalin Kombëtar.

Trajnim për stafet teknike të Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR)

Ekspertë të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) zhvilluan më 19 shtator 2025, në ambientet e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), një trajnim të dedikuar për përdorimin e platformës së Gjeoportalit Kombëtar.

Fokus i këtij trajnimi ishin funksionalitetet operative të platformës, përfshirë kërkimin tematik, vizualizimin dhe kombinimin e shtresave, përdorimin e shërbimeve të rrjetit, shkarkimin e të dhënave dhe menaxhimin e aksesit sipas roleve të përdoruesve. Gjatë trajnimit u demonstruan skenarë praktikë të përdorimit në mbështetje të proceseve të punës së AZHBR-së dhe u theksuan praktikat për të siguruar gjurmueshmëri, transparencë dhe cilësi të të dhënave.

Aktiviteti kontribuoi në forcimin e kapaciteteve teknike të stafit dhe në zbatimin e praktikave të mira të përdorimit të Gjeoportalit Kombëtar si infrastrukturë qendrore për informim dhe vendimmarrje.

Trajnim për stafet teknike të Shoqërisë Rajonale Ujësjellës–Kanalizime Durrës

Më 16 shtator 2025, ASIG zhvilloi në Durrës një trajnim të specializuar për stafet teknike të Shoqërisë Rajonale Ujësjellës–Kanalizime Durrës, me fokus në harmonizimin e procedurave për krijimin, përpunimin dhe publikimin e të dhënave të rrjetit ujësjellës–kanalizime sipas standardit teknik “Infrastruktura Urbane dhe Shërbimet Qeveritare” dhe integrimin e tyre në Gjeoportalin Kombëtar.

Programi adresoi modelimin e të dhënave, hartimin e metadatave, dhe rrjedhat e punës nga grumbullimi në terren, tek publikimi i kontrolluar në platformë. Ky aktivitet kontribuoi në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe në rritjen e cilësisë, aksesueshmërisë dhe ndërveprueshmërisë së të dhënave gjeohapësinore.

Publikimi i modelit kombëtar të Gjeoidit ALBGEOID2024 në serinë shkencore ndërkombëtare “IAG Symposia”

Në simpoziumin e fundit shkencor “IAG Symposia” të Shoqatës Ndërkombëtarë të Gjeodezisë IAG (International Association of Geodesy), botim i Springer Nature, është publikuar modeli kombëtar i gjeoidit të Shqipërisë, ALBGEOID2024.

Ky publikim tregon se ALBGEOID2024 ka kaluar me sukses procesin e vlerësimit nga ekspertë të huaj të fushës, duke certifikuar besueshmërinë, cilësinë dhe vlefshmërinë shkencore të tij.

Seria “IAG Symposia” përfshin kontributet më të spikatura të simpoziumeve të Shoqatës Ndërkombëtarë të Gjeodezisë (IAG) dhe trajton temat themelore të gjeodezisë globale si:

– Kornizat referuese gjeodezike,

– Fusha e gravitetit të Tokës,

– Gjeodinamika dhe rrotullimi i Tokës,

– Pozicionimi dhe aplikimet inxhinierike.

Publikimi i Modelit ALBGEOID2024 në këtë seri prestigjioze e vendos Shqipërinë në hartën e kontributeve ndërkombëtare në fushën e gjeodezisë dhe përfaqëson një hap të madh përpara drejt ndërtimit të një infrastrukture gjeohapësinore kombëtare të unifikuar dhe të besueshme.

Ky model do të shërbejë si baza mbështetëse për një referencë gjeodezike vertikale moderne me një saktësi të lartë, e cila do të përmirësohet më tej përmes:

– Dendësimit të rrjetit gravimetrik të rendit të tretë,

– Shtrirjes së rrjetit të nivelimit të rendit të parë.

Duke mbuluar të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë në përputhje me standardet më të avancuara evropiane dhe ndërkombëtare, Modeli ALBGEOID2024 është rezultat i përdorimit të teknikave bashkëkohore për modelimin e fushës së gravitetit, si dhe integrimit të të dhënave nga burime të ndryshme, përfshirë:

– Matjet gravimetrike tokësore,

– Modelet gjeopotenciale globale dhe altimetrike,

– Modelet dixhitale të terrenit (DTM) lokale dhe globale,

– Matjet GNSS dhe të nivelimit.

Ky kombinim i të dhënave ka mundësuar ndërtimin e një modeli me cilësi të lartë shkencore dhe besueshmëri të plotë, të përshtatshëm për një gamë të gjerë aplikimesh praktike dhe shkencore.

Tekstin e plotë shkencor mund ta lexoni në link-un më poshtë. https://link.springer.com/chapter/10.1007/1345_2025_289 

Pjesëmarrja e ASIG në Asamblenë Shkencore të Shoqatës Ndërkombëtare të Gjeodezisë IAG 2025 — Rimini, Itali

Përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) morën pjesë në Asamblenë Shkencore të Shoqatës Ndërkombëtare të Gjeodezisë (International Association of Geodesy, IAG 2025), e cila u zhvillua në Rimini, Itali, në datat 1 deri më 5 Shtator.

Ky aktivitet ndërkombëtar me temë “Gjeodezia për një mjedis në ndryshim ofroi një platformë unike për shkëmbimin e ideve dhe praktikave më të avancuara në fushën e gjeodezisë, duke përfshirë sfidat e ndryshimeve mjedisore dhe ngjarjet ekstreme të natyrës.

Tematikat e asamblesë u trajtuan në katër komisione të IAG-së:

  • Korniza Referuese,
  • Fusha e Gravitetit,
  • Orientimi dhe Gjeodinamika,
  • Pozicionimi dhe Aplikimet.

Gjë që siguroi që diskutimet dhe prezantimet të fokusoheshin në të gjitha aspektet kyçe të shkencës së gjeodezisë nga referencat dhe fusha gravitacionale, deri tek gjeodinamika dhe aplikimet e avancuara të pozicionimit.

ASIG i përfaqësuar nga z. Oltjon Balliu, Përgjegjës i Sektorit të Kornizës Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH) dhe z.Dylber Peposhi Specialist në Sektorin e Infrastrukturës së Sistemeve CORS (ALBCORS), prezantoi modelin e Gjeoidit Gravimetrik dhe Hibrid të Shqipërisë — ALBGEOID 2024, si një instrument thelbësor për ndërtimin e një reference gjeodezike vertikale moderne. Ky model, i cili u ndoq me interes dhe u vlerësua nga ekspertë të lartë evropianë dhe ndërkombëtarë, përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të infrastrukturës gjeohapësinore të vendit dhe krijimit të bazave të qëndrueshme për aplikime shkencore dhe inxhinierike.

Ky aktivitet tregoi dhe njëherë suksesin e arritur deri më tani nga stafi i ASIG, fazat që ka kryer ASIG për ndërtimin e infrastrukturës gjeodezike , metodologjinë dhe krijimin me sukses të një strukture të të dhënave gjeodezike kombëtare bazuar në të dhëna  të rëndësishme për KRGJSH.

Pjesëmarrja e ASIG në IAG 2025 forcon rolin e Shqipërisë në arenën shkencore ndërkombëtare dhe e pozicionon vendin si një aktor aktiv në përballimin e sfidave mjedisore globale. Ky angazhim mbështet objektivat strategjike për integrim evropian dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të infrastrukturës gjeohapësinore kombëtare, në përputhje me Direktivën INSPIRE dhe prioritetet e zhvillimit të qëndrueshëm.

Gjithashtu pjesëmarrja në një event të këtyre përmasave ishte e rëndësishme për rritjen e kapaciteteve njerëzore dhe profesionale, përmes diskutimeve mbi rrjetet gjeodezike, referencat horizontale dhe vertikale, modelet gjeoidale dhe metodat e avancuara të matjes, shkëmbimin e përvojave dhe bashkëpunimin me autoritete dhe ekspertë ndërkombëtarë, duke forcuar lidhjet institucionale dhe hapur perspektiva për projekte të përbashkëta.

 

Trajnim për Shoqërinë Rajonale Ujësjellës–Kanalizime Shkodër dhe asistencë teknike për Bashkinë Malësi e Madhe

Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) zhvilloi në datat 31 korrik dhe 1 gusht 2025, trajnim me stafin teknik të Shoqërinë Rajonale Ujësjellës–Kanalizime Shkodër, si dhe ofrimin e asistencës teknike për Bashkinë Malësi e Madhe me qëllim rritjen e kapaciteteve teknike të institucioneve vendore në fushën e informacionit gjeohapësinor.

Në bashkëpunim me Shoqërinë Rajonale Ujësjellës–Kanalizime Shkodër, u zhvillua një trajnim i dedikuar për stafet teknike me fokus  krijimin dhe përpunimin e të dhënave për rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve, në përputhje me standardin shtetëror për specifikimet teknike të informacionit gjeohapësinor në Shqipëri për temën: “Infrastruktura Urbane dhe Shërbimet Qeveritare”. Gjatë këtij trajnimi u prezantuan gjithashtu funksionalitetet e Gjeoportalit Kombëtar, si platformë zyrtare për publikimin dhe shpërndarjen e të dhënave gjeohapësinore.

Për stafin teknik të Bashkisë Malësi e Madhe, u ofrua asistencë me fokus në përditësimin e rrjetit rrugor lokal dhe identifikimin e pikave të interesit në territorin administrativ. Mbështetja përfshiu orientim për grumbullimin, strukturimin dhe standardizimin e të dhënave territoriale, me synim integrimin e tyre në Gjeoportalin Kombëtar dhe përdorimin në funksion të planifikimit dhe administrimit vendor.

Këto aktivitete kontribuan në përforcimin e kapaciteteve institucionale dhe në përmirësimin e cilësisë dhe aksesueshmërisë së të dhënave gjeohapësinore, në përputhje me kuadrin ligjor dhe standardet kombëtare të qeverisjes së informacionit gjeohapësinor.

 

Organizohet konferenca përmbyllëse e projektit SOFTMOVE

U zhvillua sot në Porta Futuro, Bari, Itali konferenca përmbyllëse e projektit SOFTMOVE me temë, “UAS, mësimet e nxjerra dhe perspektivat në zonën ndërkufitare IPA”.

Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) prej fillimit të vitit 2024 është partner në projektin SOFTMOVE së bashku me DTA Distretto Tecnologico Aerospaziale (Lead Partner, Rajoni i Puglias, Itali) dhe NVU Digital Den (Mal i Zi), të bashkë financuar nga Programi Interreg IPA South Adriatic 2021-2027, i Bashkimit Evropian nëpërmjet Instrumenteve të Para-Anëtarësimit (IPA III).

Projekti SOFTMOVE synon të ndërtojë marrëdhënie bashkëpunimi dhe partneritete ndërkombëtare që promovojnë përdorimin e teknologjisë Unmanned Aerial Vehicle (UAV), me fokus zbatimin e shërbimeve inovative ajrore dhe përdorimin e shërbimeve hapësinore, në mënyrë që të mund t’u përgjigjet nevojave të qytetarëve në qytetet inteligjente (smart cities), të zonës IPA.

Kjo konferencë ishte e organizuar në 5 sesione ku u prezantuan objektivat, rezultatet e punimeve të deritanishme (Workshop-e, seminare, takime B2B) nga ASIG, DTA dhe Digital Den. Gjatë këtij eventi u prezantuan  Planet e Veprimit të Përbashkëta (Joint Action Plan-JAP) nga DTA-DD-ASIG (Fatjona Çilaj).

Pas këtij sesioni, u realizua firmosja e Memorandumit të Mirëkuptimit (MoU) nga secili partner, si një akt i përbashkët i bashkëpunimit të mëtejshëm midis partnerëve. Konferenca u shoqërua nga dy sesione të tjera me diskutime, dëshmi dhe prezantime ndërmjet Industrisë, Akademisë dhe pjesëmarrësve të përfshirë. Përfaqësues nga Shqipëria për Industrinë ishin profesorët nga Universiteti Politeknik i Tiranës, Prof. Alban Rakipi dhe Prof. Gledis Basha ndërsa nga industria kompania Geosensors me pjesëmarrjen e Ida Beqirit dhe Celestina Roshnikut.

Thirrje për pjesëmarrje në konkursin ndërkombëtar “Ecoview 2025”, një mundësi për të rinjtë mbi mjedisin dhe teknologjitë satelitore

Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) sjell në vëmendje të nxënësve të shkollave të mesme dhe komunitetit arsimor mundësinë për të marrë pjesë në konkursin ndërkombëtar “Ecoview 2025”, një nismë edukative në nivel global që synon të promovojë angazhimin e të rinjve në çështje të mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm përmes përdorimit të teknologjive Remote Sensing dhe të dhënave satelitore me akses të lirë.

Konkursi organizohet nga Qendra Kombëtare “Junior Academy of Sciences of Ukraine” dhe i drejtohet nxënësve të moshës 14–18 vjeç, të cilët ftohen të zhvillojnë projekte kërkimore mbi tema të zgjedhura mjedisore si ndryshimet klimatike, ndotja e ajrit, mbrojtja e pyjeve dhe e ujërave apo përdorimi i tokës, duke përdorur të dhëna reale nga burime satelitore.

Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të përfitojnë nga materiale orientuese, kurse online dhe trajnime virtuale të ofruara nga organizatorët përmes platformave të dedikuara.

Konkursi zhvillohet tërësisht online, në gjuhën angleze, dhe pjesëmarrja është falas.

Afatet e konkursit:

  • Deri në 31 tetor 2025: Regjistrimi dhe dorëzimi i projektit
  • 1 – 20 nëntor 2025: Vlerësimi i projekteve nga juria ndërkombëtare
  • 5 dhjetor 2025: Prezantimi online i finalistëve në platformën Zoom

Si të aplikoni?

  • Regjistrimi bëhet përmes formularit:

 https://docs.google.com/forms/d/e/1FAIpQLSdoE_nhrdalgARfVNfpCqfFoY7lA9DXz0RAYVFj228_yqXAIA/viewform

 

  • Për më shumë informacion, udhëzuesin zyrtar dhe burimet e trajnimit:

https://man.gov.ua/en/contests/mizhnarodnij-konkurs-ekopoglyad

 

Njohuritë e hapësirës për mundësi të reja biznesi

Përfaqësues të Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) morën pjesë në workshop-in  e organizuar në kuadër të projektit SOFTMOVE me temë “Njohuritë e hapësirës për mundësi të reja biznesi” që u  mbajt në Bari, Itali  në datën 17 korrik 2025.

Gjatë këtij workshopi u prezantua puna e ASIG në lidhje me projektin e monitorimit të territorit me teknologji të avancuar dhe përdorimi i produkteve të përftuara nga kjo teknologji  në fusha si  mjedisi, emergjencat civile, fatkeqësitë natyrore, planifikimi urban etj..

Më tej fokusi kryesor ishte roli i aseteve hapësinore (EO, GNSS, SATCOM) në mundësimin e sistemeve ajrore autonome, duke dhënë njohuri të dobishme si për ata që janë në fazat e hershme të zhvillimit të një ideje biznesi, ashtu edhe për startup-et ekzistuese që kërkojnë të forcojnë aftësitë e tyre ose të lidhen me palët e interesuara lokale dhe partnerët ndërkombëtarë.

Gjithashtu gjatë prezantimit të startup-e në fushën e gjeohapësirës  u demostruan mjete teorike dhe praktike për krijimin e biznesit, nga propozimi i vlerës dhe krijimi i markës, deri te pozicionimi në treg dhe komercializimi me raste përdorimi dhe shembuj konkretë nga dy sektorët kryesorë të këtij projekti.