Bordi i Informacionit Gjeohapësinor (BIG), është organ këshillimor, i ASIG-ut dhe i Këshillit të Ministrave, për të realizuar krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit gjeohapësinor, në Republikën e Shqipërisë.

Krijimi i Bordit të Informacionit Gjeohapësinor është përcaktuar në nenin 10 të Ligjit nr. 72/2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Gjeohapësinor të Republikës së Shqipërisë”. Përbërja, organizimi dhe funksionimi i Bordit të Informacionit Gjeohapësinor (BIG) janë përcaktuar në Urdhrin nr. 40, datë 20.02.2020, të Kryeministrit, “Për përbërjen, organizimin dhe funksionimin e Bordit të Informacionit Gjeohapësinor”, i ndryshuar me urdhrin nr. 44, datë 28.03.2023.

Bordi kryesohet nga drejtori i kabinetit të Zëvendëskryeministrit  dhe ka në përbërje të tij të ketë këta anëtarë:

  1. Drejtorin e Përgjithshëm të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor;
  2. Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit;
  3. Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit;
  4. Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës;
  5. Drejtorin e Institutit të Gjeografisë dhe Infrastrukturës Ushtarake;
  6. Drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar;
  7. Një përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë;
  8. Një përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural;
  9. Një përfaqësues të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit;
  10. Një përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Në mbledhjet e Bordit të Informacionit Gjeohapësinor ftohen të marrin pjesë;

  1. Shefi i Departamentit të Gjeodezisë, pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit;
  2. Përfaqësues të Shoqatave të Bashkive;
  3. Përfaqësues të Shoqatës së Inxhinierëve Gjeodetë, të licencuar;
  4. Përfaqësues të autoriteteve publike përgjegjëse për temat e informacionit gjeohapësinor në varësi të tematikës që shqyrtohet;
  5. Ekspertë të fushave të ndryshme në varësi të tematikës që shqyrtohet.

Fusha e veprimtarisë së Bordit për Informacionin Gjeohapësinor (BIG) është këshillimi dhe formulimi i mendimeve e propozimeve lidhur me:

  • zhvillimin e politikës kombëtare për infrastrukturën e informacionit gjeohapësinor;
  • përmirësimin dhe plotësimin e legjislacionit në fuqi për infrastrukturën e informacionit gjeohapësinor; 
  • zhvillimin dhe përmirësimin e teknologjisë në fushën e informacionit gjeohapësinor;
  • përcaktimin e temave të tjera sipas parashikimeve të këtij ligji; 
  • vendimet e ASIG-ut për mbledhjen, përpunimin dhe/ose përditësimin e të dhënave gjeohapësinore nga autoritetet publike sipas temave përkatëse;
  • përcaktimin e standardeve shtetërore dhe rregullave uniforme për krijimin e sistemeve të informacionit gjeografik, për secilën temë; 
  • rregullat e hartuara nga ASIG-u për krijimin, përditësimin, shkëmbimin, aksesin dhe përdorimin e grupeve të të dhënave gjeohapësinore, shërbimeve gjeohapësinore dhe metadatave; 
  • rregullat e hartuara nga ASIG-u për realizimin e ndërveprueshmërisë; 
  • përcaktimin e kushteve dhe standardeve që lidhen me krijimin e GIS kombëtar; 
  • përcaktimin e rregullave për aksesin dhe shkëmbimin e informacionit gjeohapësinor nga subjektet publike dhe private; 
  • nismat e institucioneve publike në fushën e informacionit gjeohapësinor; 
  • përcaktimin e rregullave teknike dhe të administrimit të Gjeoportalit Kombëtar; 
  • çdo çështje tjetër që lidhet me infrastrukturën e informacionit gjeohapësinor.

Bordi I Informacionit Gjeohapësinor e ushtron veprimtarinë e tij në përputhje me rregulloren e brendshme, “Për organizimin dhe funksionimin e Bordit të Informacionit Gjeohapësinor”, e miratuar me Urdhrin nr. 40, datë 20.02.2020, të Kryeministrit,  i ndryshuar.