Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), është institucion publik qendror dhe e ushtron aktivitetin e tij bazuar në ligjin nr. 72/2012, datë 28.06.2012, “Për organizimin dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

 

Misioni i ASIG

Krijimi dhe përdorimi i Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Gjeohapësinor, në Shqipëri, bazuar në standardet evropiane të Direktivës 2007/2/EC “INSPIRE” të Parlamentit dhe Këshillit Evropian.

Përgjegjësitë e ASIG

  1. Zbaton politikën kombëtare për infrastrukturën kombëtare të informacionit gjeohapësinor;
  2. Është përgjegjës për projektimin, ndërtimin, mirëmbajtjen dhe përditësimin e Kornizës Referuese Gjeodezike;
  3. Merr vendime për mbledhjen, përpunimin dhe përditësimin e informacionit gjeohapësinor nga autoritetet publike, sipas temave përkatëse;
  4. Përcakton standardet shtetërore dhe rregullat uniforme për krijimin e GIS-it, për secilën temë, dhe për krijimin e GIS-it Kombëtar, në përputhje me standardet evropiane përkatëse dhe harton rregullat që lidhen me krijimin, përditësimin, shkëmbimin, aksesin dhe përdorimin e informacionit gjeohapësinor dhe shërbimeve që lidhen me të;
  5. Siguron ndërveprueshmërinë e grupeve dhe shërbimeve të informacionit gjeohapësinor, si dhe harton rregulla të hollësishme për realizimin e ndërveprueshmërisë;
  6. Administron informacionin gjeohapësinor të mbledhur, të përpunuar dhe të përditësuar nga autoritetet publike, sipas temave përkatëse;
  7. Siguron bashkërendimin e punës gjatë aktiviteteve dhe marrjes së nismave që lidhen me informacionin gjeohapësinor në sektorin publik dhe privat;
  8. Krijon dhe administron Gjeoportalin Kombëtar dhe garanton aksesin e publikut dhe subjekteve të interesuara, në përputhje me dispozitat e këtij ligji;
  9. Mbikëqyr zbatimin e kuadrit rregullator të vendosur nga ky ligj, aktet nënligjore të dala në zbatim të këtij ligji dhe, në përputhje me politikat e zhvillimit të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave, u paraqet autoriteteve përkatëse propozime për ndërhyrje legjislative që lidhen me to;
  10. Kujdeset për edukimin dhe rritjen e kapaciteteve të aktorëve të përfshirë në proceset që lidhen me infrastrukturën kombëtare të informacionit gjeohapësinor, si dhe për përhapjen e informacionit që lidhet me të te grupet e interesit dhe te publiku;
  11. Përfaqëson shtetin në organizatat evropiane dhe ndërkombëtare, anëtarësimi në të cilat i shërben funksionimit dhe modernizimit të infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor;
  12. Përfaqëson shtetin për çdo çështje tjetër që lidhet me infrastrukturën e informacionit gjeohapësinor.
  13. Mbledh, analizon, administron, përpunon me teknologji të avancuar dhe shpërndan informacionin gjeohapësinor të mbledhur me metodat pasive dhe aktive të Remote Sensing-ut.
  14. Krijon dhe mirëmban hartën bazë në Republikën e Shqipërisë në përputhje me aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji.

Objektivat e ASIG

  1. Ndërtimi i Kornizës Referuese Gjeodezike Shqiptare për të mundësuar mbështetjen e punimeve gjeodezike dhe hartografike në  Republikës së Shqipërisë, sipas standardeve evropiane.
  2. Ngritja e GIS-it Kombëtar dhe Gjeoportalit Kombëtar si komponentët themelorë të  Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Gjeohapësinore në Republikën e Shqipërisë,
  3. Koordinimi dhe bashkëpunimi me autoritetet publike përgjegjëse,  për temat e nenit 11 të ligjit nr. 72/2012, “Për Organizimin dhe Funksionimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë” për hartimin dhe implementimin  e standardeve të gjeoinformacionit si dhe përditësimin e vazhdueshëm të informacionit gjeohapësinor.
  4. Administrimi, përpunimi dhe shërbimi i produkteve të përftuara nga të dhënat e mbledhura me metodat dhe teknologjinë Remote Sensing.