Gjeoportal
Gjeoportali Kombëtar është një hap shumë i rëndësishëm i ndërmarrë nga ASIG në kuadrin e krijimit të Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Gjeohapësinor. Në bazë të ligjit 72/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë” ASIG është administratori i Gjeoportalit Kombëtar dhe garanton aksesin e publikut dhe subjekteve të interesuara në përputhje me dispozitat e këtij ligji.
Gjithmonë sipas këtij ligji Gjeoportali Kombëtar duhet të kryejë këto funksione :
1. Aksesimin nga ana e përdoruesve të Metadatave, të dhënave gjeohapësinore, grupet dhe shërbimet e të dhënave gjeohapësinore dhe shërbimet e rrjetit të parashikuara nga ky ligj.
2. Ndërlidhjen e shërbimeve të katalogimit, shërbimeve të hartografisë në web dhe shërbimet e rrjetit të parashikuara nga neni 23 i Ligjit nr.72/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”, me shtresat tematike të krijuara për të dhënat gjeohapësinore për secilën nga temat e parashikuara në pikën 2 të nenit 11 të këtij ligji.
Gjeoportali Kombëtar do jetë një hallkë kryesore në krijimin e një Infrastukture Kombëtare të qëndrueshme dhe efektive , ku përdoruesit mund të aksesojnë informacione për sa i takon tematikave të ndryshme Gjeohapësinore të cilat do ti shërbejnë në radhë të parë Administratës Shtetërore por edhe qytetarit të thjeshtë në proceset e informacionit, analizës, vendimmarrjes dhe të transparencës . Në këtë portal mund të aksesoni të dhëna dhe shërbime gjeohapësinore mbi Kufijtë e Njësive Administrative, Parcelat Kadastrale, Sistemi Adresave , Zonat e Mbrojtura, Njësitë Statistikore, Ortofoto 2007, Imazhi i Hartave Bazë, Burimet Minerare, Gjeologjia etj. Ky portal është koncepuar që ti vijë në ndihmë një game të gjerë përdoruesish si ata të nivelit teknik deri te publiku i thjeshtë. Për këtë arsye prioritet i është vendosur pjesës së Tutorialeve për përdorimin e rubrikës së Hartave por edhe për pjesën Teknike për përdorimin e shërbimeve online ( Web Map Service) në programet personale GIS Desktop.
Për çdo informacion ose problematikë që keni gjatë punës tuaj me Gjeoportalin Kombëtar është vendosur rubrika ‘Kontakte’ ku mund të kontaktoni me specialistët e ASIG të cilët, në një kohë sa më të shkurtër (deri në 3 ditë) do ju kthejnë përgjigje.