Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) , e ushtron aktivitetin e tij bazuar në ligjin nr. 72/2012, datë 28.06.2012, “Për organizimin dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”.

Misioni i ASIG

Krijimi dhe përdorimi i Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Gjeohapësinor, në Shqipëri, bazuar në standardet evropiane të Direktivës 2007/2/EC “INSPIRE” të Parlamentit dhe Këshillit Evropian.

Përgjegjësitë e ASIG

1.Zbaton politikën kombëtare për infrastrukturën kombëtare të informacionit gjeohapësinor;

2. Është përgjegjës për projektimin, ndërtimin, mirëmbajtjen dhe përditësimin e Kornizës Referuese Gjeodezike;;

3. Merr vendime për mbledhjen, përpunimin dhe përditësimin e informacionit gjeohapësinor nga autoritetet publike, sipas temave përkatëse;

4.. Përcakton standardet shtetërore dhe rregullat uniforme për krijimin e GIS-it, për secilën temë, dhe për krijimin e GIS-it Kombëtar, në përputhje me standardet evropiane përkatëse dhe harton rregullat që lidhen me krijimin, përditësimin, shkëmbimin, aksesin dhe përdorimin e informacionit gjeohapësinor dhe shërbimeve që lidhen me të;

5.Siguron ndërveprueshmërinë e grupeve dhe shërbimeve të informacionit gjeohapësinor, si dhe harton rregulla të hollësishme për realizimin e ndërveprueshmërisë;

6. Administron informacionin gjeohapësinor të mbledhur, të përpunuar dhe të përditësuar nga autoritetet publike, sipas temave përkatëse;

7. Siguron bashkërendimin e punës gjatë aktiviteteve dhe marrjes së nismave që lidhen me informacionin gjeohapësinor në sektorin publik dhe privat;

8. Krijon dhe administron Gjeoportalin Kombëtar dhe garanton aksesin e publikut dhe subjekteve të interesuara, në përputhje me dispozitat e këtij ligji;

9. Mbikëqyr zbatimin e kuadrit rregullator të vendosur nga ky ligj, aktet nënligjore të dala në zbatim të këtij ligji dhe, në përputhje me politikat e zhvillimit të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave, u paraqet autoriteteve përkatëse propozime për ndërhyrje legjislative që lidhen me to;

10.. Kujdeset për edukimin dhe rritjen e kapaciteteve të aktorëve të përfshirë në proceset që lidhen me infrastrukturën kombëtare të informacionit gjeohapësinor, si dhe për përhapjen e informacionit që lidhet me të te grupet e interesit dhe te publiku;

11. Përfaqëson shtetin në organizatat evropiane dhe ndërkombëtare, anëtarësimi në të cilat i shërben funksionimit dhe modernizimit të infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor;

12.Përfaqëson shtetin për çdo çështje tjetër që lidhet me infrastrukturën e informacionit gjeohapësinor.

Objektivat e ASIG

1.Ndërtimi i Kornizës Referuese Gjeodezike Shqiptare sipas standardeve evropiane për të mundësuar kryerjen e punimeve gjeodezike dhe hartografike të sakta, me mjete dhe metoda bashkëkohore.

2. Zhvillimi, funksionimi dhe përditësimi i GIS-it dhe Gjeoportalit Kombëtar që ofron informacion, të dhëna dhe shërbime gjeohapësinore, në përputhje të plotë me standardet e Direktivës 2007/2/EC “INSPIRE”.

3.. Koordinimi dhe bashkëpunimi me autoritetet publike përgjegjëse, për mbledhjen, përpunimin dhe përditësimin e informacionit gjeohapësinor, për hartimin dhe implementimin e standardeve në fushën e gjeoinformacionit dhe krijimin e NSDI-së.