Mbledhje e Bordit të Informacionit Gjeohapësinor, datë 22.06.2023
Më 22.06.2023 u zhvillua në ambientet e Kryeministrisë mbledhja e Bordit të Informacionit Gjeohapësinor (BIG), nën drejtimin e Kryetarit të këtij bordi z. Ermal Nufi, Drejtor i Kabinetit të Zëvendës Kryeministrit.
Në këtë mbledhje ishin të pranishëm të gjithë anëtarët e BIG.
Z. Nufi në fjalën e tij hapëse falënderoi të pranishmit për prezencën e tyre dhe theksoi rëndësinë që ka ky bord në zhvillimin e Infrastrukturës së Informacionit Gjeohapësinor si dhe prioritetin dhe vëmendjen e veçantë që Qeveria Shqiptare i ka dhënë ndjekjes së projektit mbi Shërbimet Satelitore dhe përfitimet që pritet të kenë institucionet nga ky projekt.
Drejtori i përgjithshëm i ASIG, znj. Vilma Tomço i njohu të pranishmit me strukturën e re të ASIG, ecurinë e deri tanishme të projektit “Monitorimi i territorit me teknologji të avancuar” dhe hapat e hedhur nga ASIG për krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Gjeohapësinor (NSDI).
Përgjegjësi i sektorit të GIS-it Kombëtar z. Erin Mlloja në prezantimin e tij paraqiti modulet që do të ketë në përbërje GIS-i Kombëtar si dhe të dhënat gjeohapësinore, sistemet tematike dhe shërbimet që do të bëjnë të mundur ofrimin e informacionit për përdoruesit.
Pas këtij prezantimi anëtarët e BIG shprehën aprovimin e tyre për miratimin e dokumentit Standardet Shtetërore të GIS-it Kombëtar.
Albanian Space System
Ditën e mërkurë më datë 5 korrik 2023, në ambientet e “Maritim Hotel Plaza” në Tiranë, u organizua nga Ministria e Mbrojtjes eventi “Albanian Space System”, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Z. Edi Rama.
Skuadra e satelitëve e kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm Znj. Vilma Tomço, në bashkëpunim me Autoritetet Publike Përgjegjëse, përfituese të projektit me satelitët, sollën për të pranishmit produktet e krijuara nga mbledhja dhe përpunimi i imazheve të dy satelitëve “Albania 1” dhe Albania 2”, me një mbulim mbi 13 mijë kilometra katrorë.
Ekspertë nga ASIG, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Agjencia Kombëtare e Mjedisit prezantuan këto produkte për të evidentuar përfitimet në kosto logjistike dhe analitike, burime njerëzore, si dhe shkurtimin e kohës së vendimmarrjes për implementimin e protokolleve të emergjencave civile dhe jo vetëm.
Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij vuri theksin në rëndësinë që ka ky projekt për vendin tonë, vëmendjen dhe përkushtimin që Qeveria Shqiptare po tregon për mbarëvajtjen e tij, si dhe koordinimin e të gjitha Autoriteteve Publike Përgjegjëse për bashkërendimin e punës me ASIG.
Video informuese mbi paraqitjen tre dimensionale (3D) të ndërtesave në Gjeoportalin Kombëtar
Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor në kuadër të projektit për krijimin e hartës bazë topografike 1:2 000, ka publikuar në Gjeoportalin Kombëtar paraqitjen 3D të ndërtesave për zonën urbane Tiranë, Durrës dhe Krujë.
Me realizimin e paraqitjes 3D, ASIG ju vjen në ndihmë të gjithë të interesuarve për të eksploruar qytetet tashmë edhe në lartësinë e tyre si nga ana vizuale ashtu edhe për llogaritje e aplikime të ndryshme.
Përdorimi i këtij aplikacioni i lejon përdoruesit të përfshihet në një perspektivë krejtësisht të re që konsiston në njohuri dhe vizualizime më të detajuara dhe të sakta mbi veçoritë fizike të një zone, duke përfshirë informacionin dhe paraqitjen reale të relievit të tokës, lartësinë dhe dizajnin e ndërtesave, veçoritë ujore, rrugët dhe informacionin topografik, studime mbi ndërtimet masive si dhe analiza të ndryshme mjedisore. Këto detaje do të jenë të dobishme për një gamë të gjerë aplikimesh.
Për t’iu njohur më shumë me mënyrën e përdorimit të këtij aplikacioni më poshtë gjeni videon informuese të përgatitur nga ASIG.
Video informuese mbi paraqitjen3D të ndërtesave
Përdorimi i shërbimeve satelitore për evidentimin e dëmeve nga zjarri
Ekspertët e ASIG, në mbështetje të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC) me qëllim vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga ngjarja e fatkeqësisë natyrore nga zjarri i cili preku zonën e Peshtanit në Fier, gjatë muajit Korrik 2023, realizuan hartën e mëposhtme tematike.
Falë teknologjisë së avancuar dhe inteligjencës artificiale kjo hartë ju vjen në ndihmë ekspertëve përkatës për analizimin dhe vlerësimin e zonës së prekur nga zjarri, sipërfaqeve të djegura si dhe bimësisë së dëmtuar.
Organizohet workshop-i me temë “Përdorimi i imazheve hiperspektrale”
Në kuadër të implementimit të projektit “Monitorimi i territorit me teknologji të avancuar”, Drejtoria e Përpunimit të Informacionit të Territorit me Teknologji të Avancuar (DPITTA) pranë Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), në bashkëpunim me ekspertët e kompanisë Satellogic, organizuan në datat 12-14 shtator workshop-in me temë “Përdorimi i imazheve hiperspektrale”..
Ekspertët e Satellogic gjatë këtyre tre ditëve i njohën më nga afër stafin e DPITTA si dhe stafet teknike të autoriteteve publike përgjegjëse, përftuese të këtij projekti nga MBZHR, AKMC, AISM, AMBU, AZHBR, AKM me imazhet hiperspektrale me 29 banda si dhe;
- Karakteristikat e imazheve Hiperspektrale
- Specifikimet e imazheve Hiperspektrale
- Paketa e dorëzimit
- Menaxhimi i imazheve Hiperspektrale
- Procesimi i imazheve Hiperspektrale
- Produkte të përftuara nga imazhet Hiperspektrale
- Përdorimi i imazheve Hiperspektrale
Me fokus në rritjen e kapaciteteve tona teknike dhe dhënien e asistencës së duhur autoriteteve publike përgjegjëse, ASIG vijon punën për krijimit e produkteve të përftuara nga imazhet satelitore në varësi të Use Case-ve të ndryshme për fushat që mbulojnë autoritetet publike përgjegjëse pjesëmarrëse në këtë workshop.