Ditën e mërkurë datë 16 Mars 2016 u zhvillua në Hotel “Tirana International”, Salla
“Classic”,
Eventi me temë “Prezantimi i Hartës Unike Dixhitale dhe Kufijve Administrativë
sipas Ndarjes së Re Territoriale”.
Në këtë event morën pjesë zv/ kryeministër Z.Niko Peleshi , Ministër Shteti për Inovacionin
dhe Administratën Publike Znj.Milena Harito, Ministër Shteti për Çështjet Vendore Z.Bledi
Çuçi, deputetë, drejtues të njësive vendore, përfaqësues të institucioneve shtetërore që krijojnë
apo përdorin informacionin gjeohapësinor, përfaqësues të institucioneve akademike dhe
arsimore, përfaqësues të biznesit privat në fushën e gjeoinformacionit etj.
Në takim ishin të ftuar gjithashtu SHTZ. Jan Braathu, Ambasador i Mbretërisë së Norvegjisë
në Republikën e Shqipërisë si dhe Përfaqësues të Autoritetit Kombëtar Norvegjez të
Gjeoinformacionit.
Në prezantimin e tij Z. Lorenc Çala, Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Shtetëror për
Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), bëri një ekspoze të gjendjes së gjeoinformacionit deri
në vitin 2016, nevojës imediate që ka qeveria për vendimmarrje të drejta në funksion të
publikut, për informacion gjeohapësinor bazuar në standardet europiane dhe të përditësuar,
rolit të gjeoinformacionit në zgjidhjen e problemeve të akumuluara të shtetit shqiptar në
fushën e pronësisë si dhe rolit të drejtpërdrejtë që ka gjeoinformacioni në shërbimet ndaj
qytetarit.
Gjithashtu u bë një ekspoze e punës dhe arritjeve më të rëndësishme të ASIG në periudhën dy
vjeçare të funksionimit ë tij duke veçuar si arritje krijimin e Gjeoportalit Kombëtar dhe
publikimin në të, për herë të parë, të 46 shërbimeve online të gjeoinformacionit, në ndihmë
të institucioneve dhe publikut.
Në fjalën e tij Z. Jorgen Svendsen. përfaqësues i Autoritetit Kombëtar Norvegjez të
Gjeoinformacionit evidentoi bashkëpunimin e suksesshëm me ASIG në kuadër të
marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy autoriteteve dhe gatishmërinë e Statens Karvert për të
ndihmuar dhe asistuar ASIG në realizimin e objektivave të tij.
SHTZ. Jan Braathu, Ambasador i Mbretërisë së Norvegjisë në Republikën e Shqipërisë, e
vuri theksin në ndihmën dhe projektet e qeverisë Norvegjeze për të bërë të mundur integrimin
e Shqipërisë në BE si dhe në rëndësinë që ka gjeoinformacioni në cilësinë e vendimmarrjes
dhe shërbimet ndaj publikut.
Znj. Milena Harito, Ministër Shteti për Inovacionin dhe Administratën Publike, evidentoi
rëndësinë e dixhitalizimit të të dhënave shtetërore dhe hapjen e tyre për publikun në funksion
të zhvillimit ekonomik dhe social të vendit, rëndësinë e hartës unike dixhitale në zgjidhjen e
problemeve të akumuluara dhe shërbimeve të shpejta e cilësore ndaj qytetarit.
Z. Bledi Çuçi, Ministër Shteti për Çështjet Vendore, prezantoi projektin për “Hartën dixhitale
e kufijve të rinj administrativo-territorialë” si një nga temat e rëndësishme të
gjeoinformacionit, hapat e ndërmarra në këtë drejtim si dhe rëndësinë që ka për qeverisjen
vendore ky proces.
Z. Niko Peleshi Zv/Kryeministër, në fjalën e tij falënderoi Autoritetin Shtetëror për
informacionin Gjeohapësinor (ASIG) për arritjet e tij dhe theksoi se dixhitalizimi është një
nga projektet më të rëndësishme të qeverisë shqiptare. Ai u kërkoi drejtuesve të njësive
vendore të bëhen pjesë e këtij procesi dhe të shfrytëzojnë informacionin gjeohapësinor të
publikuar në Gjeoportalin Kombëtar dhe platformat e tjera qeveritare, në realizimin e
detyrave të tyre dhe shërbimin ndaj qytetarëve.