Në Konferencën XI Rajonale për Kadastrën dhe Infrastrukturën e të Dhënave Gjeohapësinore e cila u mbajt në datat 30-31 Maj 2018 në qytetin Budva , me ftesë të Autoritetit të Administrimit të Pasurive të Paluajtshme, të Malit të Zi, ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) të kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm, z. Lorenc Çala.

Tema e konferencës ishte “Përdorimi i të Dhënave Gjeohapësinore në Zhvillimin e Shoqërisë Dixhitale, Sfidat dhe Perspektiva” një temë mjaft aktuale si për rajonin tonë, Ballkanin Perëndimor, ashtu dhe për pjesën tjetër të Evropës.

Në këtë konferencë përfaqësuesit e ASIG prezantuan planet dhe vizionin për të ardhmen e përdorimit të të dhënave gjeohapësinore, projektet e planifikuara si dhe sfidat që janë hasur deri tani.

Në përfundim të Konferencës u arrit konkluzioni për nevojën e rritjes dhe zgjerimit të mëtejshëm të bashkëpunimit me institucionet dhe shoqatat ndërkombëtare, me qëllim të shkëmbimit të njohurive bazuar në përvoja dhe standarde, si dhe në mbështetjen e drejtpërdrejtë në përgatitjen dhe zbatimin e projekteve.

Institucionet pjesëmarrëse shprehën vlerësimin për donatorët dhe shoqatat ndërkombëtare si dhe besimin për bashkëpunim të mëtejshëm në të ardhmen.