Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) , aktivitetin e saj e bazon në ligjin 72/2012 “Për organizimin dhe fuksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”. Në këtë ligj janë përcaktuar:

Përgjegjësitë e ASIG

  1. Zbaton politikën kombëtare për infrastrukturën e informacionit gjeohapësinor
  2. Përgjegjës për projektimin, ndërtimin, mirëmbajtjen dhe përditësimin e Kornizës Referuese Gjeodezike “KRGJSH2010”.
  3. Merr vendime për mbledhjen, përpunimin dhe përditësimin e informacionit gjeohapësinor nga autoritetet publike, sipas temave përkatëse.
  4. Përcakton standardet shtetërore dhe rregullat uniforme për krijimin e GIS-it për secilën temë, dhe për krijimin e GIS-it Kombëtar në përputhje me standardet europiane përkatëse.
  5. Harton rregullat që lidhen me krijimin, përditësimin, shkëmbimin, aksesin dhe përdorimin e informacionit gjeohapësinor dhe shërbimeve që lidhen me të.
  6. Administron informacionin gjeohapësinor të mbledhur, të përpunuar dhe të përditësuar nga autoritetet publike sipas temave përkatëse.
  7. Siguron bashkërendimin e punës gjatë aktiviteteve dhe marjes së nismave që lidhen me informacionin gjeohapësinor në sektorin publik dhe privat.
  8. Krijon dhe administron Gjeoportalin Kombëtar dhe garanton aksesin e publikut dhe subjekteve të interesuara në përputhje me dispozitat e ligjit 72/2012.
  9. Përfaqëson shtetin në organizatat europiane dhe ndërkombëtare, anëtarësimi në të cilat i shërben funksionimit dhe modernizimit të infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor.


Objektivat e ASIG

  1. Ngritja e kornizës referuse gjeodezike Shqiptare sipas standardeve europiane për të mundësuar mbështetjen e një hartë unike për të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
  2. Ngritja e infrastrukturës kombëtare të të dhënave gjeohapësinore në Republikën e Shqipërisë, nëpërmjet gjeoportalit ku cdo kush do mund të aksesojë të dhënat gjeohapësinore që shteti Shqiptar posedon.
  3. Përpilimi dhe zhvillimi i standardeve në fushën e gjeoinformacionit si dhe implementimi i tyre nëpër institucione, qofshin ato prodhues apo përditësues të gjeoinformacionit.


Gjeoportali Kombëtar është një "derë" e cila i mundëson përdoruesve profesionist, por dhe publikut të kërkojnë, shikojnë dhe aksesojnë në mënyrë shumë të thjeshtë të dhënat gjeohapësinore dhe shërbimet Web të vëna në dizpozicion nga institucionet e ndryshme Shtetërore.

Ky Gjeoportal është një hap shumë i rëndësishëm në kuadër të Qeverisjes të Hapur (OGP), që në thelb ka politikën e të dhënave të hapura për qytetarët, duke u ofruar shërbime larg burokracisë dhe afër cilësisë. Gjeoportali Kombëtar do të shërbejë për bashkëpunim ndërinstitucional në kuadër të eficiencës në shërbim të qytetarit. Po ashtu është një hap i nevojshëm në ngritjen e Infrastrukturës së të Dhënave Gjeohapësinore (NSDI), një prioritet në kuadrin e-Goverment dhe afrimit të Shqipërisë me Axhendën Dixhitale Europiane.

Gjeoportali Kombëtar është në fazën fillestare të strukturimit të tij, duke kryer një harmonizim të të dhënave gjeohapësinore, në mënyrë që ato te jenë sa më të plota, të sakta dhe të përditësuara. Përdoruesve të interesuar rreth këtyre informacioneve gjeohapësinore (qytetarë, studiues, etj.), u sugjerojmë që të dhënat e marra nga gjeoportali, ti verifikojnë dhe ti konfirmojnë sërish në institucionet përkatëse, për të pasur një informacion final sa më të saktë dhe të sigurt.

Një falënderim i veçantë i dedikohet ndihmës së Qeverisë Norvegjeze, nëpërmjet Norwegian Mapping and Cadastre Authority “Statens Kartverk”, e cila po i jep një ndihmesë të rëndësishme Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor, për orientimet e saj fillestare bazuar në eksperiencat më të mira europiane.