Objektivi i Drejtorisë:

Sigurimi i mbarëvajtjes dhe funksionimit të ASIG-ut, me qëllim arritjen e objektivave nëpërmjet zbatimit të detyrave që lidhen me mirëadministrimin dhe përdorimin me efektivitet të mjeteve dhe burimeve ekonomike, financiare, njerëzore dhe materiale në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Detyrat kryesore të Drejtorisë:

 

a.       Drejton veprimtarinë administrative financiare, administrimin e fondeve buxhetore dhe kujdeset për përdorimin e fondeve në dispozicion të institucionit, fondin e pagave si dhe për të gjitha transaksionet e tjera financiare që lidhen me nevojat e brendshme të institucionit si dhe në marrëdhëniet me të tretët, në mënyre ekonomike, eficente dhe efektive.

b.      Zbatimi me përpikëri i Ligjit  nr. 10296 datë 08.07.2000 “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin” dhe detyrimeve që rrjedhin prej tij.Planifikimi dhe menaxhimi i problemeve në fushën e buxhetit dhe financës, siç janë :

-       Hartimi i projektbuxhetit vjetor, afatmesëm, dhe detajimi i tij;

-       Zbatimi me përpikëri i  buxhetit vjetor të miratuar, për çdo artikull dhe nënartikull;

-       Drejtimi i metodologjisë së aplikimit të kontabilitetit, kontabilizimi i veprimeve financiare të mbylljes së bilancit vjetor, plotësimi i tij dhe i pasqyrave të tjera financiare.

 

c.       Menaxhimi financiar, mbajtja e kontabilitetit dhe përgatitja e pasqyrave financiare vjetore  në përputhje me ligjin për kontabilitetin, administrimin financiar dhe kontrollin.

d.      Koordinon punën për përgatitjen e raporteve vjetore të monitorimit të strategjive sektoriale dhe ndërsektoriale, të raporteve të monitorimit të projekteve me financim të huaj.

e.       Koordinon punën për hartimin dhe zbatimin e Programit Buxhetor Afatmesëm, monitoron periodikisht zbatimin e buxhetit në përputhje me standardet dhe procedurat e përcaktuara në ligjin e buxhetit dhe udhëzimet përkatëse për hartimin dhe zbatimin e buxhetit.

f.       Kryen detajimin e buxhetit dhe numrit të punonjësve në organikë, të miratuar me ligjin e përvitshëm për zbatimin e buxhetit të shtetit.

g.      Kontrollon punën lidhur me mbarëvajtjen e veprimtarisë financiare të institucionit, që nga planifikimi korrekt i shpenzimeve operative dhe investimeve, ndjek procedurat e prokurimit dhe garanton kryerjen me efiçencë, transparencë dhe cilësi të tyre në zbatim me Ligjit Nr. 9643 datë 20.11.2016 “Për prokurimin publik” i ndryshuar dhe gjithë legjislacionit në fuqi.

h.      Menaxhon burimet njerëzore dhe koordinon punën me drejtoritë për përgatitjen e organikës dhe respektimin e saj në zbatim të strukturës së miratuar si dhe ndjek zbatimin e procedurave për plotësimin e vendeve vakante të punës në bashkëpunim me Departamentin e Administratës Publike. Ndjek zbatimin e masave të programuara për sigurimin e ristrukturimit të institucionit.

i.        Ndjek në vazhdimësi problemet e zhvillimit të burimeve njerëzore, duke koordinuar hartimin e përshkrimeve të punës dhe kryerjen e vlerësimit për çdo nëpunës të ASIG, sipas parashikimeve të Ligjit 152/2013 “Për nëpunësin civil” i ndryshuar a kteve nënligjore në zbatim të tij.

j.        Menaxhon veprimet për pranimin, evidentimin (protokollimin) shpërndarjen dhe dërgimin e korrespondencës zyrtare, si dhe bashkëpunon me strukturat e tjera në institucion për të siguruar dokumentet që hyjnë, dalin ose arkivohen në institucion.

k.      Monitoron dhe kontrollon zbatimin me korrektësi të rregullave të etikës nga punonjësit e ASIG dhe dhe raporton tek eprorët përgjegjës për shkelje të disiplinës dhe kodit etik të punonjësve në kundërshtim me ligjet dhe Rregulloren e brendshme të ASIG.

l.        Menaxhon mirëadministrimin e aseteve së institucionit ASIG, për kryerjen në afat të inventarizimit të vlerave monetare e materiale.

m.    Mbështet dhe plotëson nevojat e institucionit me shërbime, infrastrukturë, bazë materialo-teknike dhe teknologji të përparuar informacioni, nëpërmjet administrimit të burimeve njerëzore përkatëse, burimeve financiare dhe zbatimit rigoroz të legjislacionit zyrtar në fuqi, me qëllim sigurimin e kushteve optimale për veprimtarinë normale të Institucionit.

n.      Monitoron zbatimin e Ligjit Nr. 9367, datë 07.04.2005 “Për parandalimin e Konfliktit të Interesave në Ushtrimin e Funksioneve Publike” si dhe Ligjit Nr. 9049, datë 10.04.2003 “Për deklarimin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve të disa nëpunësve publikë”, në cilësinë e Autoritetit Përgjegjës.