Bordi për Informacionin Gjeohapësinor (BIG), është organ këshillimor i ASIG-ut dhe i Këshillit të Ministrave për zhvillimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor.
Krijimi i Bordit të Informacionit Gjeohapësinor është përcaktuar në Ligjin nr. 72/2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Gjeohapësinor të Republikës së Shqipërisë” dhe funksionon  me urdhër të Kryeministrit.

Bordi kryesohet nga Ministri Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike dhe në përbërje të tij të ketë këta anëtarë:

a) Drejtorin e Përgjithshëm të ASIG-ut.

b) Drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

ç) Drejtorin e Agjencisë  Kombëtare të Planifikimit të Territorit.

c) Drejtorin e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave;

d) Kryeregjistruesin e Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë.

dh) Drejtorin e Institutit Gjeografik të Tiranës.

e) Drejtorin e Institutit të Statistikave.

ë) Drejtorin e Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile.

f) Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale;

g) Një përfaqësues të Ministrisë së Financave;

gj) Një përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave;

h) Një përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit;

i) Një përfaqësues të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë;

l) Shefin e Departamentit të Gjeodezisë të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit;

ll) Një përfaqësues të Shoqatës së Bashkive;

m) Kryetarin e Shoqatës së Inxhinierëve Gjeodetë, të licencuar.

n) Dy përfaqësues nga biznesi privat në fushën e gjeoinformacionit.

- Bordi për Informacionin Gjeohapësinor, në varësi të tematikës që shqyrton, fton në mbledhjet e tij ekspertë të fushave të ndryshme.

Fusha e veprimtarisë së Bordit për Informacionin Gjeohapësinor (BIG) është këshillimi dhe formulimi i mendimeve e propozimeve lidhur me:

a) zhvillimin e politikës kombëtare për infrastrukturën e të dhënave gjeohapësinore;

b) përmirësimin dhe plotësimin e legjislacionit në fuqi për infrastrukturën kombëtare të të dhënave gjeohapësinore;

c) zhvillimin dhe përmirësimin e teknologjisë në fushën e informacionit gjeohapësinor;

ç) përcaktimin e temave të tjera sipas parashikimeve të këtij ligji;

d) vendimet e ASIG-ut për mbledhjen, përpunimin dhe/ose përditësimin e të dhënave gjeohapësinore nga autoritetet publike sipas temave përkatëse;

dh) përcaktimin e standardeve shtetërore dhe rregullave uniforme për krijimin e sistemeve të informacionit gjeohapësinor, për secilën temë;

e) rregullat e hartuara nga ASIG-u për krijimin, përditësimin, shkëmbimin, aksesin dhe përdorimin e grupeve të të dhënave gjeohapësinore, shërbimeve të të dhënave gjeohapësinore dhe metadatave;

ë) rregullat e hartuara nga ASIG-u për realizimin e ndërveprueshmërisë;

f) përcaktimin e kushteve që lidhen me krijimin e GIS kombëtar;

g) përcaktimin e rregullave për aksesin dhe shkëmbimin e informacionit gjeohapësinor nga subjektet publike dhe private;

gj) nismat e institucioneve publike në fushën e informacionit gjeohapësinor;

h) përcaktimin e rregullave teknike dhe të administrimit të Gjeoportail-it;

i) çdo çështje tjetër që lidhet me infrastrukturën e të dhënave gjeohapësinore.

- Bordi për Informacionin Gjeohapësinor e ushtron veprimtarinë e tij në përputhje me rregulloren e brendshme “Për organizimin dhe funksionimin e Bordit për Informacionin Gjeohapësinor”.